Reformimi i strukturave të veprimtarisë kërkimore-shkencore, veçanërisht i sistemit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, është vënë në fokusin e diskutimeve të mediave të ndryshme, sidomos të asaj të shkruar përgjatë disa muajve.
Nga Ph.D.Zyhdi Dervishi
Reformimi i strukturave të veprimtarisë kërkimore-shkencore, veçanërisht i sistemit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, është vënë në fokusin e diskutimeve të mediave të ndryshme, sidomos të asaj të shkruar përgjatë disa muajve. Krahas shqyrtimeve serioze të përshkruara nga vizioni shkencor, përgjegjësia qytetare e moraliteti i shëndoshë vërehen edhe trajtime të deformuara nën trysninë e shumëfishtë të interesave vetjake meskine të politizimeve, konservatore ose të mendësive të ngushta partiake.
I. Reformimi i vazhdueshëm – proces i natyrshëm
Që në fillim lipset theksuar se reformimi i strukturave të kërkimit shkencor dhe posaçërisht i sistemit të Akademisë së Shkencave ka qenë, është dhe duhet konsideruar një çështje jashtë partiake ose, më saktësisht, mbipartiake, ashtu siç ka qenë dhe do të mbetet vetë kërkimi shkencor, si veprimtari shumë e vyer në shërbim të popullit, domethënë të të gjithë partive, pavarësisht nga profili i tyre politik, dhe në masa të caktuara të mbarë njerëzimit. Thelbin e kësaj të vërtete e dëshmon edhe fakti se diskutimet për reformimin e sistemit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u shfaqën gjerësisht në shtyp disa muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 dhe vazhdojnë deri në ditët tona, pra pavarësisht nga ndërrimi i harkut të partive në pushtet.
Jam i mendimit se institucionalizimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore që me krijimin e Institutit të Shkencave në vitin 1947, ngritja hap pas hapi e rreth 60 instituteve e qendrave kërkimore-shkencore, organizimi i Akademisë së Shkencave në vitin 1972 etj., pa dyshim përbëjnë arritje të rëndësishme të popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Nëpërmjet punës së kualifikuar e gjithë përkushtim të qindra e qindra punonjësve shkencorë, veçanërisht të atyre më të aftë, struktura të tilla kanë dhënë ndihmesë të rëndësishme, sidomos për realizimin e studimeve me vlerë në fushën e gjuhës shqipe, të kulturës e të historisë së popullit shqiptar, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, veçanërisht të asaj bujqësore, për parashikimin e zhvillimeve të pritshme etj. Por sistemi i organizimit të veprimtarisë kërkimore - shkencore në vendin tonë është formësuar në përputhje me kërkesat e kriteret e një ekonomie të centralizuar dhe të një regjimi socialist totalitar. Mirëpo distancimi i shoqërisë shqiptare nga ky sistem organizimi gjatë 14-15 viteve të fundit e bën gjithnjë e më të domosdoshëm thellimin e procesit të reformimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore në përshtatje me kërkesat e ekonomisë së tregut dhe të zhvillimeve demokratike në çdo fushë të jetës.
Si çdo proces tjetër reformues, edhe reformimi i veprimtarisë kërkimore – shkencore, veçanërisht i asaj të sistemit të Akademisë së Shkencave gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nuk mund të mos ketë mangësitë e veta. Por, pavarësisht nga të meta të tilla, lipset vlerësuar se gjatë këtyre viteve veprimtaria kërkimore-shkencore, sidomos ajo për problematikën shoqërore e kulturore, iu nënshtrua një procesi të shpejtë e frytdhënës çdogmatizimi ideopolitik. Ndërkohë që në vija të përgjithshme kjo fazë e reformimit mund të konsiderohet e tejkaluar, aktualisht kërkimi shkencor në Republikën e Shqipërisë ndodhet përballë sfidës thelbësore që ka të bëjë me rritjen e rendimentit të punës edhe në këtë fushë të veprimtarisë shoqërore. Përvoja e vendeve të përparuara të Perëndimit tregon se faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e rendimentit të veprimtarisë kërkimore-shkencore krahas shtimit të financimeve janë edhe këto:
1. Çburoktartizimi maksimal i strukturave të angazhuara në veprimtarinë kërkimore-shkencore.
Ky proces kompleks udhëhiqet nga parimi se puna, përgjegjësia shkencore dhe ekonomike, si dhe vendimmarrja “zbresin” në njësinë bazë, në departament, madje deri në sektor, atje ku studiuesit drejtpërdrejt dhe tërthorazi përballen pandërprerë, ditën e natën me sfidat e stërmundimshme të kërkimit. Përvoja e vendeve perëndimore ka dëshmuar se një përqendrim i tillë i detyrimeve i motivon më shumë punonjësit shkencorë të shkrinë të gjithë energjitë e tyre krijuese në shërbim të kërkimit. Në zbatim të këtij parimi tashmë të konsoliduar në vendet e Perëndimit, është e domosdoshme që një pjesë e konsiderueshme e kompetencave vendimmarrëse të drejtorive të instituteve kërkimore – shkencore, të sistemit të Akademisë së Shkencave ose jashtë tij, “të rrjedhin” natyrshëm drejt departamenteve e sektorëve kërkimorë. Kësisoj, kufizimi nga ndikimi i hallkave administrative në procesin e vendimmarrjes për çështje të zhvillimit të shkencës e të teknikës, jo vetëm përshtat më mirë e në dinamikë vendimmarrjen me ecurinë e kërkimit, por edhe shtensionon ndjeshëm marrëdhëniet ndërmjet studiuesve dhe personelit drejtues brenda njesive kërkimore të nivelit të institutit.
Për më tepër, në sistemin e Akademisë së Shkencave përfshihen institute të angazhuara në fusha kërkimi shumë të ndryshme si Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Historisë dhe Instituti i Informatikës dhe i Matematikës së Aplikuar, Instituti i Kulturës Popullore dhe Qendra Sizmiologjike, etj., çka e vështirëson shumë ose, më saktësisht e bën gati krej joefiçente çdo vendimmarrje nga organet qendrore të Akademisë së Shkencave.
2. Përgjithësisht në vendet Perëndimore me tradita më të konsoliduara në fushën e kërkimit, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, mendimi shkencor në fusha të ndryshme ka përparuar përmes projekteve kërkimore, të cilat më së shumti realizohen nga grupe mikse studiuesish të instituteve, të qendrave kërkimore ose të universiteteve. Grupe të tilla formohen e shformohen sipas dinamikës së realizimit të projekteve të ndryshme. Përvoja tregon se përgjithësisht grupimet kërkimore të formuara në këtë mënyrë kanë rendiment të lartë në punë edhe për faktin se janë pothuajse të çliruara nga “vargonjtë” e burokracisë. Mendojmë se ka ardhur koha që edhe në vendin tonë kërkimi shkencor, së paku në shumicën e fushave, të bazohet në punën e grupeve të studiuesve që karakterizohen nga fleksibiliteti në formimin dhe shformimin e tyre.
Organizime të tilla do të seleksiononin natyrshëm punonjësit shkencorë të aftë e të përkushtuar nga ata që rastësia i ka përplasur në dyert e institucioneve kërkimore ose të universiteteve. Vlen të theksohet se në universitete gjatë 14-15 viteve të fundit veprimtaria kërkimore është realizuar pothuajse tërësisht mbi baza vullnetare, gati pa kurrfarë financimi nga strukturat shtetërore.
II. Universiteti – “mëmë” e nderuar dhe jo “njerkë” e përbuzur
Të ndodhur në panik të pajustifikuar, autoritetet kryesore drejtuese të Akademisë së Shkencave janë shprehur publikisht në një konferencë shtypi të këtij muaji:
“Në rast se grupi që është ngritur për të shqyrtuar situatën dhe për të hartuar reformën e ardhshme në Akademinë e Shkencave do të dalë me tezën e kalimit të instituteve kërkimore shkencore të Akademisë së Shkencave pranë universiteteve, çka nënkupton shkrirjen e kësaj Akademie, atëherë akademikët janë gati të luftojnë me të gjitha mënyrat ligjore që kanë në dorë, për të mos e lejuar që të ndodhë një marrëzi të tillë, e cila sipas tyre do të çonte në dëmtim të pariparueshëm të instituteve kërkimore - shkencore dhe në rënien e nivelit të shkencës në vendin tonë...”. “Ne do të kërkojmë po të jetë nevoja, edhe ndihmën dhe mbështetjen e akademive të shkencave jashtë shtetit në gjithë botën, me të cilat kemi lidhje të ngushta dhe jemi tepër aktivë. Jam i bindur se ato do të reagojnë, duke mbështetur Akademinë e Shkencave dhe jo një reformim thelbësor të saj”... “universitetet kanë shumë probleme, janë të korruptuara dhe në këto vite tranzicioni, në krahasim me Akademinë e Shkencave, nuk kanë ecur aq para dhe nuk mund kurrsesi që ky veprim të jetë në të mirë të shkencës” (Gazeta “Tema” 07.01.2005, f.13).
Kur lexon pasazhe të tilla ndjen keqardhje së paku për disa arsye kryesorë:
Së pari, organizata jofitimprurëse me jetëshkurtër dhe më e vobektë në burime financiare e njerëzore do t’i artikulonte më logjikshëm interesimet e veta pragmatike, edhe kur duket sheshit se ata janë mirëfilli ngushtësisht egoiste.
Së dyti, mendojmë se nuk përbën kurrëfarë marrëzie shkrirja e instituteve të sistemit të Akademisë së Shkencave me fakultetet e të njëjtës fushë të Universitetit të Tiranës dhe të universiteve të tjera. Në mjaft vende të botës, sidomos në ato të zhvilluara të Perëndimit një “marrëzi” e tillë, një simbiozë e tillë ka funksionuar dhe funksionon shumë mirë, duke ofruar jo vetëm cilësi të admirueshme në përgatitjen profesionale të studentëve, por edhe studime e zbulime shkencore me rëndësi kombëtare e më gjerë. Universiteti i Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk qëndron më prapa, por pothuajse gjithnjë ka qenë avangardë e kërkimit, sidomos për çështjet fondamentale më të ndërlikuara.
Së treti, një pjesë e instituteve, që aktualisht janë në përbërje të Akademisë së Shkencave, janë themeluar dhe kanë funksionuar përgjatë shumë vitesh si struktura të Universitetit të Tiranës. Madje, mjaft prej akademikëve më të shquar si Eqrem Çabej e Aleks Buda, Petrit Radovicka e Bajram Preza, Sotir Kuneshka e Stefanaq Pollo, Alfred Uçi e Hamit Beqja etj. e kanë realizuar pjesën më të madhe të krijimtarisë së tyre shkencore, duke qenë pedagogë të Universitetit të Tiranës ose punonjës shkencorë në institutet ose sektorët shkencorë në vartësi të tij. Deri në vitin 1990 pranë Universitetit të Tiranës kanë funksionuar sektorë kërkimorë, të cilët përpjesëtimisht me numrin e punonjësve kanë kryer studime me vlerë, të cilat nuk qëndronin më prapa në krahasim me ato të realizuara nga institutet e Akademisë së Shkencave. Në sektorë të tillë ka punuar akademiku i shquar Arben Puto etj.
Përvoja e mjaft vendeve të përparuara të perëndimit kërkon se edhe shkencëtarë nga më të shquarit kanë kërkuar të mos paguhen vetëm për veprimtari kërkimore. Për këtë çështje, Albert Ajnshtajni herë pas here është shprehur: “Zbulimet nuk bëhen aspak me urdhër, por në qoftë se unë nuk zbuloj asgjë, atëherë do të zhgënjej ata që më paguajnë dhe do ta marr rrogën kot. Përkundrazi, në qoftë se është një specialist apo profesor ai do të bëjë gjithmonë diçka të dobishme dhe, si rrjedhim, do ta ketë ndërgjegjen të qetë” (Libri “Albert Ajnshtajn”, 1989, f.115). Besoj se edhe në Shqipëri ka jo pak punonjës shkencorë që kanë nevojë ta qetësojnë vetëdijen e tyre sipas kësaj mençurie të Ajnshtajnit dhe të bëhen më të dobishëm, duke punuar edhe në shkollat e larta.
Së katërti, deklarohet në formë kërcënuese se do të kërkohet edhe ndihma e mbështetja e akademive të shkencave në të gjithë botën. Nëse do të flitej për mbyllje të instituteve kërkimore - shkencore, sidomos të atyre të angazhuar në fushën e studimeve albanologjike, ku studiuesit shqiptarë mund e duhet ta thonë më me forcë fjalën e tyre të kualifikuar, unë do të përkrahja publikisht, pra, rezerva çdo formë të protestës së ligjshme të kolegëve që punojnë në strukturat e sistemit të Akademisë së Shkencave. Po si pedagog e studiues, që merrem prej shumë vitesh edhe me problematikën e sociologjisë së shkencës, mendoj se shkrirja e shumicës së instituteve me fakuletet përkatëse të universiteteve, jo vetëm do t’i jepte shtysë përmirësimit cilësor të veprimtarisë mësimore e shkencore në shkollat e larta, por njëherazi, përmes komunikimeve më të drejtpërdrejta me studentët edhe shumica e punonjësve shkencorë të instituteve do të shkundeshin nga plogështia (e ndoshta dikush do të zgjohej nga gjumi letargjik disavjeçar), do të përditësoheshin në dinamikë me problematikën e shqetëismet e kohës. Filip Frank, në librin kushtuar njërit prej gjenive më të mëdhenj të njerëzimit, Albert Ajnshtajnit, ndër të tjera, ka shkruar: “... një pjesë të vlefshme të kohës Ajnshtajni e vinte me bujari në dispozicion të studentëve të vet. Kur dikush shtronte ndonjë problem që paraqiste vërtet interes, qoftë ky edhe një problem tepër i thjeshtë, Ajnshtajni ishte i gatshëm t’i kushtonte studentit shumë kohë e mund për ta ndihmuar në zgjidhjen e tij... disa studentë të tij, duke folur me adimirim të thellë për të, më treguan se ai, me të filluar detyrën, u kishte deklaruar: “Do të jem gjithmonë i gatshëm t’ju pres. Po të keni ndonjë problem ma sillni me vete. Nuk do të më shqetësoni kurrë, sepse unë mund ta ndërpres punën në çdo çast e ta rifilloj menjëherë pas kësaj ndërprerjeje”. Është e udhës ta gjykojmë këtë qëndrim, duke e krahasuar me atë të mjaft profesorëve, të cilët u thonë studentëve se janë gjithmonë të zënë me probleme kërkimore dhe se nuk kanë qejf të shqetësohen, pasi çdo ndërprerje mund të rrezikojë rezultatet e kërkimeve të tyre të thella” (Libri “Albert Ajnshtajni”, 1989, f. 123-124). Mendoj që, së paku, në përkushtimin me fismëri ndaj studentëve, të gjithë pedagogët e punonjësit shkencorë duhet të udhëhiqen nga shembulli i këtij gjeniu.
Së pesti, sikurse mjaft qytetarë të thjeshtë edhe drejtuesit kryesorë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave pohojnë publikisht se universitetet janë të korruptuara. Veçse nuk ka të drejtë morale që këtë ide ta artikulojë publikisht një person që mban “qyrkun” e rëndë të akademikut prej rreth 34 vitesh dhe dashur pa dashur, pa ia kërkuar statusi i akademikut përfshihet në skandalin e trafikimit të tezës së konkurrimit për provimin e studentëve në Fakultetin e Drejtësisë (Universiteti i Tiranës) për vitin akademik 2005-2006. Besoj që çdo akademik në çdo vend të botës, pra jo vetëm në Perëndim, do t’i kërkonte publikisht ndjesë popullit të vet nëse do të gjendej qoftë edhe krejt pa dashur në shtjellën e një skandali të tillë. Latini i motshëm do të thoshte: “O tempora, o mores”.
Nëse dikush jashtë universiteteve nuk ka vullnetin e mirë për të luftuar plagën e korrupsionit në institucione të tilla, të paktën të ketë fisnikërinë të mos bëhet përhapës i kësaj plage sociale, qoftë edhe padashur.
Edhe për faktin se punën e kam filluar në auditorët e Universitetit të Tiranës, ku dhe punoj prej shumë vitesh, ndjej dhimbje të thellë kur kjo ngrehinë e madhe e dijes, e ngritur me djersën e popullit shqiptar dhe me përpjekjet e mundimshme të qindra pedagogëve e punonjësve shkencorë, pra të elitës shkencore e morale të inteligjencies shqiptare, të përflitet për korrupsion, qoftë edhe në një rast të vetëm. Fatkeqësisht plaga e korrupsionit ka prekur, si të thuash, trupin e shëndetshëm të arsimit universitar. Por mua më duket diçka më shumë se dashaligësi cinike e sadiste të përpiqesh të mbulosh me qefinin e zi të korrupsionit gjithë arsimin e lartë. Në Universitetin e Tiranës, sikurse edhe në universitetet e tjera të vendit, ka plot pedagogë e drejtues të aftë, të përkushtuar dhe të ndershëm, të cilët jo vetëm i kanë qëndruar larg llumit të çdo lloj korrupsioni, por me durim, këmbëngulje e zgjuarsi përpiqen ta pastrojnë këtë murtajë, shpesh duke përballuar presione të gjithfarëllojshme e deri kërcënime të hapura. Personalisht kam qenë dhe jam i anëtarësuar vetëm në këtë “parti” të pedagogëve.
Nuk mund të mos i referohem në këtë shkrim një ndodhie që nuk do të mund ta harroj gjithë jetën. Në pranverën e trazuar të vitit 1997, kur vendi ynë përjetonte gjendjen e jashtëzakonshme, një ditë po jepja leksione sociologjie me studentët e kursit të parë të Fakultetit të Mjekësisë në auditorin-amfiteatër që gjendet në oborrin e brendshëm të Maternitetit të vjetër. Një polic hapi derën e auditorit me tërsëllimë dhe na urdhëroi të dilnim sa më shpejt, pasi kishin të dhëna se ishte vënë një bombë që mund të shpërthente nga njëri çast në tjetrin. Pasi i nxora të gjithë studentët dola edhe vetë. Oborri para auditorit ishte i “blinduar” me dhjetra policë. Pasi u larguam nga rrezja e zonës së rrezikuar bëra një bisedë të shtruar me studentët me synimin për t’i bindur që të mos vinim në leksion derisa të qetësohej situata, pasi nuk do të mund ta përballoja, dot psikologjikisht faktin e aksidentimit të ndonjë studenti. U përpoqa t’i bind se për mungesat nuk do të kishin asnjë lloj pasoje. Por nuk ia dola mbanë. Çdo ditë auditori ishte plot me studentë. Nga kjo ndodhi mund të nxirren së paku dy mësime kryesore: 1) Çdo akademik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, çdo shkencëtar, qoftë edhe më i shquari në botë do të ishte i nderuar t’u jepte leksione studentëve të tillë që gjenden si në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu edhe në fakultetet e tjera shqiptare. 2) Me studentë të tillë do të shërohet jo vetëm plaga e korrupsionit, por edhe çdo plagë tjetër sociale që mund të prekë sistemin e arsimit të lartë.
Vlen të theksohet se thelbi i zbatimit të Formulës së Bolonjës për ristrukturimin e arsimit universitar dhe mbiuniversitar konsiston në fuzionimin më harmonik të mësimdhënies me kërkimin shkencor, në përshpejtimin e ritmeve të kualifikimit e të përditësimit të studentëve me arritjet më të përparuara të shkencës përmes angazhimit të tyre të drejtëpërdrejtë në proceset kërkimore.
III. Statusi honorifik: i vetëpërcaktuar
Statusin e të qenit honorifik shumica e akademikëve e ka arritur, si të thuash, me forcat e veta, pasi prej vitesh nuk kryejnë veprimtari kërkimore – shkencore në nivelin e standardeve akademike: disa nuk mund t’u përgjigjen kërkesave të kohës për krijimtari shkencore të arrirë për arsye të moshës, disa të tjerë ngaqë nuk kanë qenë asnjëherë në nivelin e veprimtarisë shkencore akademike dhe disa të tjerë e kanë braktisura prej vitesh fushën e kërkimit dhe janë angazhuar në politikë etj.
Në rrethana të tilla reformimi i parashikuar i lejon akademikët të vazhdojnë të gëzojnë statusin e tyre të nderuar dhe të gjithë përfitimet përkatëse, por u kërkon vetëm të mënjanohen nga vendimmarrja lidhur me veprimtarinë kërkimore të instituteve që aktualisht janë në vartësi të Akademisë së Shkencave. Gjatë 7-8 viteve të fundit, në bisedat e lira që kam pasur me jo pak punonjës shkencorë të instituteve me dinjitet e argumente më kanë ngritur problemin e shkëputjes nga strukturat drejtuese të Akademisë së Shkencave, së paku për dy arsye kryesore:”
I.Shumica e akademikëve janë të moshuar dhe nuk janë në gjendje të ndjekin dinamikën e vrullshme të zhvillimeve, sidomos në shkencat shoqërore. Thelbin e kësaj çështje një studiues i ri, mjaft i kualifikuar, e shpreh në mënyrë të figurshme: “Është vështirë të rriten natyrshëm drurët e rinj nën hijen e drurëve të vjetër e të tharë”.
II.Disa drejtues të Akademisë së Shkencave janë të tejlodhur në vendimmarrje. Përvoja të tilla shumëvjeçare nuk mund të mos rutinizojnë veprimtarinë e tyre, nuk mund të mos i shndërrojë ata në zanatçinj të drejtimit. Por me zanatçillëk në drejtimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore nuk mund të integrohemi në strukturat euro-atlantike. Në shoqërinë e ekonomisë së tregut e të zhvillimeve demokratike të vrullshme nuk ka vend për “bejlerë”, “agallarë” ose qoftë edhe “qehallarë” të drejtimit në çdo fushë të veprimtarisë, dhe aq më pak në veprimtarinë aq të vyer, polivalente të kërkimit shkencor.