AMC nuk eshte me Albanian Mobile Communication
Dėrguar tė Sunday, 08 January @ 14:41:30 PST nga aipr
|
|
Pak me shume se dy muaj me pare AMC hodhi ne qarkullim identitetin e saj te ri te korporuar duke ikur njehere e pergjithmone nga ngjyrat tradicionale me te cilat u themelua si “Albanian Mobile Communication” (kompania e Komunikimit te Levizshem Shqiptar).
Nga Alban Bala - AIPR
Pak me shume se dy muaj me pare AMC hodhi ne qarkullim identitetin e saj te ri te korporuar duke ikur njehere e pergjithmone nga ngjyrat tradicionale me te cilat u themelua si “Albanian Mobile Communication” (kompania e Komunikimit te Levizshem Shqiptar). AMC – dikur kuq e zi- me nje format qelizor dhe elektronik - gjashtekendor- veshi perfundimisht ngjyrat e gjelbra te Cosmote Group - ku AMC eshte kompani bijez. AMC integroi logon brenda logos me 3 gjysmeharqe te Cosmote-se - njera prej kompanive anetare te OTE-se, shoqeri aksionere me pronesi shteterore greke e tele-komunikimit. Po ashtu AMC pershtati slloganin e ri – “Eshte mire te jesh i pari!”- ne perputhje me mesazhin e korporuar te COSMOTE-s greke - “Eshte mire te jesh perpara!”. Ne fakt kompania e shoqeroi procesin e ndryshimit te imazhit te markes me nje process intesiv promocioni, nje nderhyrje qe per syrin e eksperteve i ngjante me shume nje platforme rebranding (rithemelimit te markes), sesa vetem nje ndryshimi te imazhit te korporuar. Ndryshe nga formatet standarte promocionale, AMC hyri ne kete fushate me dy testimonials (fytyrat promocionale te markes) duke perdorur nje vajze dhe nje djale per te dy grupet gjinore brenda targetit te saj te zgjedhur- rinise. Me heret Ardit Gjebrea, showman i njohur dhe kengetar, sherbeu per rreth 2 vjet si testimonial i AMC-se. Alketa Vejsiu dhe Klejdi Kadiu, qe te dy nga bota e spektaklit, ishin nje zgjedhje e qelluar per fushaten e re, e cila synonte pike se pari ta shkepuste imazhin e qendrueshem te markes AMC (Albanian Mobile Comm.) nga imazhi i plasaritur i Shqiperise (Albania) - pavaresisht emrit te ndervarur te kompanise. Kjo fushate megjithate insistoi ne rilidhjen e markes me perdoruesin shqiptar, edhe pse reklama vizive nuk mbartte me tej mjediset reale shqiptare, duke u pikezuar ne imazhe teknologjike. AMC shpalli kesisoj hyrjen e saj ne tregun global/europian/rajonal dhe ikjen nga ngjyrat ekskluzive te Shqiperise. Nje grup analistesh te intervistuar thone se ky hap u hodh si pasoje e presionit qe po pesonte ne treg marka me e vjeter e produkteve te telefonise mobile ne Shqiperi nga operatori i dyte celular VODAFONE. Ky nderkombetarizim i imazhit te AMC-se u gjykua si pranimi i fillimit te nje gare reale mes 2 kompanive me origjine greke qe operojne ne Shqiperi. Zgjerimi i Vodafone-it ne nivel boteror sigurisht do te prodhonte edhe ne tregun e vogel shqiptar efekte negative per konkurentet. Vodafone ka ne mbare boten 171 miljon abonente, perballe COSMOTE-se qe ka ne Greqi rreth 4,5 miljon abonente dhe ndoshta po kaq edhe ne Shqiperi, Maqedoni, Bullgari e Rumani marre se bashku. Por çfare fitoi dhe çfare humbi AMC nga ky hap? Pese drejtuesit greke te bordit te AMC-se (Evangelos Martigopoulos, Elias Fotiadis, Stefanos Oktapodas, Nikolaos Tsolas dhe Irini Nikolaidi) jane te vetedijshem se ne Greqi ka aktualisht rreth 600 mije shqiptare, prej te cileve vetem gjysma jeton ne kushte normale. Pjesa me e madhe e tyre jane pre e “fshesave” te shpeshta, problemeve te panumurta administrative, rracizmit qytetar grek dhe ekzistences se ndare mes dy vendeve, ku ata nuk perkasin plotesisht askund. Me thellimin e debatit mbi te ardhmen finale te Kosoves, me hapjen reale te problemit çam, me ngjarjet ciklike negative si vrasjet raciste te shqiptareve apo me rritjen e here-pas-hershme te tensionit nacional mes dy vendeve, ajo qe do t’i vuaje keto luhatje sigurisht qe eshte marka. Sepse AMC tani eshte greke- edhe ne ngjyrat e saj te reja, edhe ne simboliken e saj. Nga reklama vizive e AMC-se u hoqen mjediset tipike tiranase qe shoqeronin imazhin e markes dhe fytyrat shoqeruese rinore apo kokat e mbeshtjella me flamurin e kombetares shqiptare te futbollit. Ky perceptim jo-shqiptar, per fat te keq, nuk mund te zbutet as nga lekura e bukur e Alketa Vejsiut dhe as nga shqipja dialektore e Kledi Kadiut. Me nje vizion shume te qarte ne qellime, por ende te patestuar ne treg, drejtuesit e AMC per here te pare kane vendosur ta ndervarin nje marke te suksesshme ne humorin e marredhenieve politike dhe publike mes dy vendeve, ku shume shpesh ka sunduar zhgenjimi. Dhe ky zhgenjim e rrezikon jo pak marken me te vjeter te telefonise celulare ne Shqiperi. Nga u motivua ndryshimi i imazhit te korporuar? Zhvendosja e imazhit te AMC nga Shqiperia ne Greqi- edhe publikisht- eshte teresisht e kunderta e asaj qe COSMOTE shperfaqi ne çastin e blerjes se AMC-se ne gusht te vitit 2000, kur ajo privatizoi me tender nga Ministria e Ekonomise Publike dhe Privatizimit 85% te kapitalit te AMC-se duke paguar 86,5 miljon USD. Ne ate kohe qeveria Nano dhe bleresi kryesor grek i AMC-se rendisnin se pari ne publik aksionerin e dyte norvegjez Telenor. Me sa duket rezultatet kane qene mrekullisht te pabesueshme edhe per vete drejtuesit e kompanise blerese Cosmo-Holding Albania. Vetem ne vitin 2004, AMC i siguroi COSMOTE-se 7,6% te te ardhurave prej 1,58 miljard EUR. Ne shtator te ketij viti, pra perpara se AMC te ndryshonte imazhin e saj te korporuar, media raportoi duke iu referuar web-site-it te COSMOTE-se ne Athine, se AMC po pergatitej te blente 50 miljon EUR aksione nga COSMOTE-s. Ekperte ligjore madje e konsideruan kete edhe nje perpjekje per t’iu shmangur takses mbi fitimin dhe dhunim te aksionerit te pakices- shtetit shqiptar. Vetem gjate vitit 2004 AMC shenoi nje fitim neto prej 35,5 Miljon EUR. Por gjate pese viteve te operimit te saj ne Shqiperi, drejtuesit e COSMOTE kane rene dakort te ndajne dividentin vetem me mars te vitit 2004 (referuar vitit fiskal 2002). Me 13 dhjetor te vitit 2005 Autoriteti Shqiptar i Konkurences e gjobiti kompanine me 1% te xhiros vjetore (1,35 miljon EUR) per mos-dorezim te raporteve financiare qe ju kerkuan asaj ne kuader te nje hetimi 2 mujor anti-monopol te Autoritetit. E gjitha ndodhi ndersa qeveria e kryeministrit Berisha vendosi bllokimin per qellime hetimesh te shitjes se AlbTelekom-it, brenda kontrates se te cilit qendron edhe operatori i trete mobil i telefonise, Eagle Mobile Communication. Sa i suksesshem ka qene ndryshimi i imazhit te korporuar? Sa ka garantuar ai ruajtjen e ROI-t (kthimin e investimit)? Sa vlera i ka shtuar nderkaq markes? Kete mund ta thone vetem drejtuesit e kompanise dhe ndoshta pas nje viti. Por nje gje eshte tanime e sigurt: AMC nuk eshte me Albanian Mobile Communication.
|
| |
|