Kur do te vijė festa e qytetarisė?
Dėrguar tė Friday, 30 December @ 16:21:58 PST nga aipr
|
|
Ndërsa doganat njoftuan se afro 30 milion euro mallra hynë në Shqiperi me rastin e festave, çmimet u rritën këtë javë përsëri ndërsa popullata nuk ka asnjë shans t’i shmanget spekullimit vullnetar dhe festiv që përsëritet
Nga Alban BALA Ndërsa doganat njoftuan se afro 30 milion euro mallra hynë në Shqiperi me rastin e festave, çmimet u rritën këtë javë përsëri ndërsa popullata nuk ka asnjë shans t’i shmanget spekullimit vullnetar dhe festiv që përsëritet. Tirana është zbukuruar me një dekor të stërkonsumuar por italian, që ndërmarrja e Dekorit të Bashkisë thuhet se e merr me qera çdo vit nga një sipërmarrës privat. Shumica e yjeve të varur shtrembër përgjatë rrugës së Kavajës nuk ndizen, megjithatë edhe sikur, kudo- edhe në Bulevardin kryesor apo ish-sheshin Skënderbej, njerëzit janë të detyruar t’i mbajnë sytë ulur për të mos u përbaltur nëpër rrugët dhe trotuaret e kafshuara nga shiu. Mjedisi festiv është një gënjeshtër e madhe që zbret edhe nga reklamat e firmave të mëdha, të cilat në shkëmbim të konsumit ofrojnë dhurata. Njëra prej tyre psh. premton arushë dhe dhuron miushë, duke zhgënjyer pikë së pari fëmijët. Një park lojrash që u instalua në qendër vrau një njeri për mungesë masash mbrojtëse teknike. Tani në shesh lodron vetëm fantazma e një fëmije të vrarë dhe kufoma metalike e një lodre trupmadhe. Policia bashkiake ndalon tregëtinë e pasigurtë të gjelave të detit, që shiten rrugëve si skllevër këmbëlidhur. Tregjet e ndërtuar me shumë bujë e para’, në zemër të lagjeve të mykura nga balta dhe era e ujrave të zeza, shumica janë ndryshkur dhe nuk i hyjnë në punë as fonderisë së çelikut në Elbasan. Konferencat e shtypit të ministrave kalojnë thuajse si retë në qiell: askush nuk ua vë veshin, përsa kohë prej tyre mbi publikun nuk nis të rigojë ndonjë shi i ftohtë ose të rrëzohet ndonjë dorë breshër. Festat janë në fakt hutia’ më e madhe që mund të mbështjellë këtë vend. Ndjehesh gati brenda një modeli të butë të fatkeqësive natyrore të pashmangshme. Fëmijët i festojnë me shpërthime dhe krisma shashkash. I hedhin kudo. Nëpër këmbët e të rriturve që vrapojnë tregjeve apo në shëtitjet bredhacake buzë dyqaneve, ku Hamleti të vjen i gjallë me dilemën: të blesh a të mos blesh! Të rriturit janë të hutuar: turbullimi i tyre ka të bëjë me pafuqinë për të shpjeguar detyrimin pse duhet t’i binden ritualit. Me zemër nëpër dhëmbë shumica mallkojnë pafuqinë për t’i rezistuar turpit që shkakton mospasja e ziafeteve, që u kërkon kujtesa. Televizionet janë shndërruar ndërkaq në gropa të zeza. Atë që dikur nuk e dëgjoje as në klubin e burrave të lagjes, mund ta dëgjosh në televizion. Dhe të gjithë qeshin. Jo nga humori. As nga batuta e fortë. Nga që janë lodhur. Shfryjnë. Duke qeshur. Fjalë fyese, batuta të ndyra, sharje... Fëmijët përsërisin banalitetin e medias së dashur nëpër rrugë e rrugica ndërsa në familje sapo ka hyrë një model i ri i të folurës: shqip! Shakaja justifikon gjithçka. Madje heq edhe stresin. Eshtë normale të mos jesh dot normal në Shqipëri! Sikur e bëjmë për vete- thonë të mëdhenjtë,- për fëmijët e kemi! Por për cilët fëmijë? Në fakt një gjë është e sigurt: të gjithë janë të zhgënjyer të nesërmen, kur festa ka mbaruar dhe kur qytetit, nga cepi në cep, i ka ardhur era barut prej fishekzjarreve, kur stomaqet shfryjnë orgjinë ushqimore që kanë kaluar, kur balta rimbështjell hapat e njeriut të stërmunduar që nuk e kupton pse të shpenzosh para në këtë vend nuk mjafton për t’u kënaqur. Sepse në fakt ajo që ndodh nuk ka lidhje me festën: ka lidhje me psikën e rënduar të publikut, i cili ka nevojë të zbusë të përditshmen dhe jo të kulmojë jashtëqitjen emocionale deri në vetë-përbuzje në një ditë/natë të vitit. Këtu nuk është fjala për çastin e lirimit të ushtarëve apo të të burgosurve nga regjimi i shtrënguar ku ndodhen. Qytetarët e lirë pikë së pari festojnë duke dëshmuar qytetarinë e tyre, qoftë dhe duke refuzuar të blejnë mashtrimin e tregëtarëve, të firmave me reklama premtuese, qytetarët festojnë duke shpallur integritet dhe jo psikologji turme. Përndryshe… këto festa asnjëherë nuk do të vijnë dot në Shqipëri. Festa më e madhe e skllevërve është festa e padronit të tyre. Ose dita e shiut, kur mund të lahen natyrshëm në oborrin e përbashkët të fermës. Cila prej këtyre festave ka ardhur në fakt?!
|
| |
|