Në
dhjetor të vitit 2005 ministri i jashtëm Mustafaj u vu në qendër të kritikave
publike për tezën e tij të “pavarësisë së kushtëzuar” për Kosovën. Ajo që kemi
sot përpara nga i dërguari i posatshëm finlandez Ahtisaari është edhe më pak se
kaq. Dhe të gjithë jemi të kënaqur…
Nga
Alban Bala
Në
dhjetor të vitit 2005 ministri i jashtëm Mustafaj u vu në qendër të kritikave
publike për tezën e tij të “pavarësisë së kushtëzuar” për Kosovën. Ajo që kemi
sot përpara nga i dërguari i posatshëm finlandez Ahtisaari është edhe më pak se
kaq. Dhe të gjithë jemi të kënaqur…
Presidenti
Ahtisaari dhe bashkësia ndërkombëtare pas tij mbështesin një “mëvetësi të
mbikqyrur”, por të njohur në rrafshin ndërkombëtar. Sepse një shtet anëtar i Organizatës
së Kombeve të Bashkuara është de facto
edhe i pavarur.
Mbështetja
e Shqipërisë ndaj këtij propozimi, që pritet të zyrtarizohet brenda verës 2007
me votën e Këshillit të Sigurimit, është një veprim i padiskutueshëm.
Ajo
çfarë realisht shqetëson kosovarët është decentralizimi dhe aty Tirana e ka pak
vështirë të përzihet. Albin Kurti dhe terminologjia e tij maoiste për
ri-kolonizim të Kosovës rrezikon të gjejë mbështetës, sidomos në terrenin e
brishtë social kosovar, ku varfëria pritet të thellohet. Vizionet konfuze të ndonjë
media të rëndësishme veçsa i shërbejnë këtij rezultati.
Por
as New York Times dhe as serbofilia e ndonjë editorialisti nuk mund të prodhojë
më në Ballkan centrifuga të përgjakshme konfliktesh. Çdo ndarje e Kosovës do të
çonte në ndarjen e Republikës Serbska nga Bosnja, të Iliriadës shqiptare nga
Maqedonia, ndarjen e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës nga Serbia, të Plavës,
Gucisë, Ulqinit e Tuzit nga Mali i Zi, e kështu me rradhë.
Në
momentin e tanishëm, çdo kërkesë që e zhvendos fokusin nga paketa e z.Ahtisaari
nuk prodhon tjetër veçse një konflikt të ri, më të madh.
Çfarë
mund të ofrojë Shqipëria për Kosovën?
Së
pari, këshillën e urtë dhe distancën e duhur si deri më tani. Së dyti, një
diplomaci më agresive në rrafshet e zbrazëta të bashkëpunimit ekonomik. Së
treti, përmasën e vërtetë të një tregu rajonal me karakter kombëtar.
Projekti
i nisur i ndërtimit të rrugës Durrës - Morinë është vetëm fillimi i një procesi
që duhet të prodhojë suksesin e kërkuar.
Ende
Shqipëria shërben si trampolinë për një grup mallrash që më tej nga Kosova
duhet të kontrabandohen në vende të tjera. Shqipëria me kompanitë e saj, deri më
sot ka shërbyer si kredencial nacional për hyrjen në Kosovë të biznesit të madh
grek, sidomos në fushën e hidrokarbureve, por jo vetëm aty.
Nëse
ka një fushë ende të pa-eksploruar në bashkëpunimin mes palëve, kjo është sfera
e energjisë. Një sistem i integruar dhe i ballancuar i gjenerimit të energjisë
mes dy vendeve do të prodhonte qëndrueshmëri zhvillimore dhe shanse reale për të
ri-formatuar modelet ekonomike, duke i orientuar drejt prodhimit. Rivlerësimi i
sistemit aktual të transmetimit në përputhje me perspektivat zhvillimore brenda
kuadrit të planifikuar të investimeve në këtë fushë përbën gjithashtu një
çështje prioritare. Nuk mund të presim që këto projektime perspektive të na i
bëjnë donatorët. Aq më pak mund të lëvizim në pista të shkëputura interesash
zhvillimore. Statusi i Kosovës prodhon detyrimisht një ndërvarësi shumë më
konkrete mes dy palëve qeverisëse ndër shqiptarët.
E
pare në këtë optikë, ka qenë e pakuptimtë përpjekja e Tiranës zyrtare për të tërhequr
në Shqipëri Gazprom-in, i cili ishte shumë i qartë në durimin e tij për të hyrë
në Europë përmes Serbisë, sapo asaj t’i hapej paksa rruga e ri-integrimit. Për
më tepër, kjo ndodhi në kohën kur ndaj Gazprom-it kishte një betejë politike të
hapur në krejt frontin perëndimor të shteteve, për të reduktuar varësinë e
BE-së nga furnizimi me gaz rus. Ftesa e Shqipërisë ndaj Gazprom-it në këtë rast
shkonte kundër direktivave politike europiane dhe më gjerësisht atlantike në
energjitikë.
Tani
sërish, procesi i privatizimit të tre rafinerive të naftës në Shqipëri nuk
duhet të rrezikohet nga mungesa e vizionit, edhe pse disa palë mund të
pretendojnë se e kontrollojnë këtë sektor strategjik në thuajse krejt
Ballkanin.
Çdo
gjykim për të ballancuar interesat politike në Kosovë me lëshime ekonomike në
Shqipëri do të ishte në rastin e Tiranës një gabim. Kjo qasje do të shkatërronte
shanset për një treg shqiptar gradualisht të unifikueshëm.
Sistemi
financiar është po ashtu një prej distancave që duhet të shkurtohet kur është
fjala për bashkëpunim me Kosovën. Në të dy vendet tona sot veprojnë një numër
operatorësh të përbashkët duke përfshirë Reiffaisen Bank, Procredit Bank, një
numër i madh bankash greke, etj. Po ashtu
shoqëritë kryesore shqiptare të sigurimeve janë aktive në të dy anët e
kufirit. Për këtë shkak, gjykoj se sot
është koha për t’u marrë në konsideratë një sugjerim i herët i z.Selami Xhepa –
sot këshilltar ekonomik pranë kryeministrit- për euroizimin e monedhës kombëtare
në Shqipëri. Kjo do të përshpejtonte edhe integrimin e ekonomisë shqiptare në
krejt hapësirën ekonomike të rajonit.
Po ashtu liberalizimi i shërbimit ajror që lidh Tiranën
me Prishtinën, përkrah zhvillimit të terminaleve të reja ajrore lokale, do të
ishte një ndihmë në rritjen e shpejtësisë së qarkullimit të njerëzve, çka
prodhon rritjen e volumit në shkëmbimin e mallrave dhe kulturës.
I njëjti
process duhet nxitur edhe në Prishtinë. Qysh në kohën e qeverisë së z. Bajram
Rexhepi, ish- ministri i transporteve z. Zef Morina e ka hedhur idenë e ndërtimit
me koncession të aeroportit të Gjakovës.
I
gjithë ky process kërkon paralelisht thellimin e betejës ndaj fenomeneve
kriminale në ekonomi dhe luftën kundër informalitetit.
Pavarësia
e Kosovës pa këtë process mbështetës për rritjen ekonomike të saj, do të ishte
vetëm një mjerim zhgënjyes.
Imazhi
i Përbashkët Si Fat i Përbashkët
Një
ish-ministër socialist rendi, ndërsa nënshkruante rreth vitit 2002 një Marrëveshje
Ripranimi me homologun e tij belg, ju tha gazetarëve se “shpesh pisllëqet që bëjnë
kosovarët ju mvishen shqiptarëve” dhe kërkoi nga partnerët europianë që të
dallonin mirë diferencën. Ky qëndrim, që e habiti jo pak belgun e mësuar me
antagonizmin franko-flamand të Belgjikës, mbetet një mësim i madh për fatin e përbashkët.
Edhe
pse në dy shtete të dallueshme, shqiptarët e të dy anëve të kufirit do të
vazhdojnë të perceptohen ngjashmërisht falë përkatësisë kombëtare. Fati i përbashkët
do të shprehet së pari në imazhin e përbashkët që shqiptarët do të ndërtojnë
prej sot e në vijim.
E thënë
thjesht, çdo përpjekje për përmirësimin e imazhit të Kosovës do të jetë për
Shqipërinë një investim në ngritjen e imazhit të saj. Dhe çdo cënim imazhi që
do të prodhohet në Kosovë, do të rëndojë mbi rrudhat e thella të fytyrës së përbashkët
të shqiptarëve.
Asnjë
përpjekje për të promovuar tregun shqiptar në botë, në asnjë rrethanë nuk mund
ta përjashtojë më Kosovën. Kompanitë shqiptare nuk kanë thjesht 3 miljon
konsumatorë, por të paktën 6 miljon të tillë. Dhe çdo investitor i huaj që
arrin në Tiranë, e ka këtë vetëdije.
Ndërtimi
i markës shqiptare në tregun global do të kërkojë patjetër përfshirjen në
suazat e analizës së shanseve dhe rriskut edhe të asaj që ofron Kosova.
Prej
sot Tirana ka motivimin e plotë që ta shohë ndërtimin e tregut të hapur rajonal
si një rrugë të materializimit të programit të saj kombëtar të zhvillimit,
përtej premisës formale të përafrimit të saj me BE-në.
Por është
shumë e rëndësishme që ky process të mos i japë Prishtinës atë që drejtori i
Transparancy International, Kreshnik Spahiu e quajti rreth një vit më parë si
fenomeni i “Sundimit të Karteleve Tregëtare” dhe që e kanë varësuar ekonominë e
vendit 85% tek importet.
Nëse
mbijeton dhe shtrihet si i tillë, ky model anti-ekonomik vetëm do ta varfërojë
më thellë arealin shqiptar të Ballkanit, duke na kthyer përfundimisht në
konsumatorë perfektë, që kur-e-kur arrijnë të shesin krahun e lirë të punës për
një copë bukë thatë.