Të gjithë regjimet flasin për
qeverinë përfaqësuese. Por a mundet "vullneti i popullit" të sigurojë
zgjidhjet në shekullin e XXI-të?
Nga Eric Hobsbawm *
Ka fjalë me të cilat askush nuk dëshiron të prezantohet në
publik, si p.sh. racizëm dhe imperializëm. Ka të tjera për të cilat kushdo mezi
pret të demonstrojë entuziazëm, si p.sh. nënat dhe ambienti. Demokracia është
njëra nga këto. Në ditët e "socializmit që ekzistonte në të vërtetë",
edhe regjimet më të papëlqyeshëm e pretendonin atë në titujt e tyre zyrtarë, si
në Korenë e Veriut, Kamboxhian e Pol Potit, dhe në Jemen. Sot, përveçse në disa
tituj zyrtarë islamikë dhe mbretëri e sheikëri trashëgimtare të Lindjes së
Mesme, është vështirë të gjesh ndonjë regjim që nuk e përkrah idenë e asambleve
apo presidentëve të zgjedhur nëpërmjet konkurimit. Pavarësisht nga historia dhe
kultura, tiparet kushtetuese të përbashkëta për Suedinë, Guinenë e Re Papua dhe
Sierra Leonen (atëhere kur aty mund të gjenden presidentë të zgjedhur) zyrtarisht
i vendosin ato brenda një klase, kurse Pakistanin dhe Kubën në tjetrën. Prandaj
diskutimi publik racional i demokracisë është si i nevojshëm ashtu edhe
jashtëzakonisht i vështirë. Nuk egziston ndonjë lidhje e nevojshme apo logjike
ndërmjet komponentëve të ndryshëm të konglomeratit që përbëjnë atë që ne e
quajmë "demokracia liberale". Shtetet jodemokratike mund të ngrihen
mbi parimin e Rechtstaat-it, apo shtetit ligjor, siç ishin padyshim Prusia dhe
Gjermania perandorake. Qysh nga de Tocqueville dhe John Stuart Mill, ne e kemi
ditur se liria dhe toleranca për minoritetet shpesh janë më tepër të kërcënuara
sesa të mbrojtura nga demokracia. Ne gjithashtu e kemi ditur, që nga Napoleoni
III, se regjimet që vijnë në pushtet nëpërmjet një grushti shteti mund të
vazhdojnë të fitojnë shumicën në votime (mashkullore) të vazhdueshme. Dhe as
Koreja e Jugut e as Kili në 1970-at dhe 1980-at nuk sugjeronin një lidhje
organike ndërmjet kapitalizmit dhe demokracisë. Megjithatë, ideja për votimet e
lira nuk është se ato garantojnë të drejta, por që i japin mundësinë popullit
(teorikisht) të heqë qafe qeveri jopopullore. Dhe këtu duhen bërë tre vëzhgime
kritike. Së pari, demokracia liberale, si çdo formë tjetër regjimi politik,
kërkon një njësi politike brenda të cilës ajo të mund të ushtrohet, normalisht
një "shtet komb". Kjo nuk është e praktikueshme aty ku nuk egziston
një njësi e tillë. Politika e Kombeve të Bashkuara nuk mund të përshtatet në
kuadrin e demokracisë liberale, përveçse si një figurë letrare. Nëse ato të
Bashkimit Europian në tërësi munden, mbetet të shihet. I dyti hedh dyshimin mbi
propozimin se qeveria demokratiko - liberale është gjithnjë superiore apo të
paktën më e parapëlqyeshme se qeveria jodemokratike. Padyshim që kjo është e
vërtetë, nëse të tjerat do të ishin të barabarta, por të tjerat nganjëherë nuk
janë. Ukraina e ka fituar politikën demokratike (pak a shumë), por kundrejt
çmimit të humbjes së dy të tretave të produktit të përgjithshëm kombëtar modest
që kishte në kohët e Bashkimit Sovjetik. Kolumbia asnjëherë nuk ka qenë nën
udhëheqjen e grupeve ushtarake apo populiste përveçse për periudha të
shkurtëra; ajo ka patur në fakt vazhdimisht një qeveri kushtetuese,
përfaqësuese, demokratike, me dy parti elektorale rivale, liberale dhe
konservatore, në konkurencë, siç e kërkon teoria. Dhe përsëri numri i të
vrarëve, i të gjymtuarve dhe i të dëbuarve nga shtëpitë në Kolumbi gjatë
gjysmës së fundit të shekullit shkon me miliona dhe është shumë më i madh se në
ndonjërit prej vendeve të Amerikës Latine të molepsur nga diktaturat ushtarake.
Vëzhgimi i tretë ishte i shprehur në frazën e Winston Churchill-it:
"Demokracia është forma më e keqe e qeverisë, përveç të gjitha atyre
formave të tjera që janë provuar herë pas here". Pra rasti e demokracisë
është thelbësisht negativ. Edhe si një alternativë ndaj sistemeve të tjerë, ajo
mund të mbrohet vetëm me një psherëtimë. Kjo nuk kishte aq shumë rëndësi gjatë
pjesës më të madhe të shekullit të njëzetë, ndërsa sistemet politike që e
sfidonin atë ishin aq të tmerrshëm. Derisa ajo u përball me këto sfida,
difektet e qenësishme të demokracisë liberale përfaqësuese si një sistem
qeverisjeje u bënë evidente për shumicën e mendimtarëve më seriozë si dhe për
satiristët. Në të vërtetë ato diskutoheshin gjerë dhe hapur edhe ndërmjet
politikanëve, derisa u bë e pakëshillueshme të thonin të publik atë që mendonin
në të vërtetë për masën e votuesve nga të cilët varej zgjedhja e tyre. Ende
"populli" është sot themeli dhe pika e përbashkët e referencës për të
gjitha qeveritë e shteteve përveç teokratikeve. Kjo jo vetëm që është e
pashmangshme, por e drejtë: nëse qeveria ka ndonjë qëllim, ai duhet të jetë që
të flasë në emër të qytetarëve dhe të kujdeset për mirëqenien e tyre. Në erën e
njeriut të zakonshëm, e gjithë qeveria është qeveria e popullit dhe për
popullin, megjithëse në çfarëdo sensi operacional nuk mund të jetë qeveri prej
popullit. Kjo ishte karakteristikë e përbashkët për demokratët liberalë,
komunistët, fashistët dhe nacionalistët, megjithëse idetë e tyre ndryshonin në
atë se si e formulonin, shprehnin dhe influenconin "vullnetin e
popullit". Propaganda e masave ishte një element thelbësor edhe në ato
regjime të gatshëm për të ushtruar shtrëngim të pakufizuar. Madje edhe
diktaturat nuk mund ta shtyjnë për shumë kohë humbjen e dëshirës së subjekteve
të tyre për ta pranuar regjimin. Kjo është arsyeja pse, kur erdhën në këtë
pikë, regjimet "totalitare" të Evropës Lindore, aparatet shtetërorë
besnikë të tyre, mekanizmi i tyre i shtypjes në gjendje të mirë pune, u larguan
shpejt dhe në mënyrë të qetë. Qeveritë e shteteve modernë territorialë apo
shteteve komb mbështeten në tre presupozime: së pari, se ata kanë më tepër
pushtet sesa njësitë e tjera që veprojnë në territorin e tyre; së dyti, se
banorët e territoreve të tyre e pranojnë autoritetin e tyre pak a shumë me
dëshirë; dhe së treti, se qeveritë mund të sigurojnë shërbime për ta që ndryshe
nuk do të ishin siguruar po aq efektivisht apo fare - shërbime të tilla si në
frazën proverbiale, "ligj dhe rregull". Në 30 apo 40 vitet e fundit,
këto presupozime gjithnjë e më tepër e kanë humbur vlefshmërinë e tyre.
Së pari, siç tregon rasti i Irlandës së Veriut, edhe shtetet
më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më efektivë e kanë humbur monopolin e forcës
shtrënguese, e jo pak për shkak të fluksit të instrumentave të rinj, të vegjël,
portativë, të shkatërrimit si dhe cënueshmërisë ekstreme të jetës moderne deri
në shkatërrim të menjëhershëm, sado i vogël.
Së dyti, njerëzit nuk kanë më dëshirë as t'i kushtojnë
besnikëri dhe shërbime vullnetare një qeverie legjitime në mënyrë popullore apo
t'i bindet pushtetit përfshirës dhe të vendosur të një qeverie ilegjitime.
Presupozimi i tretë është i rrezikuar jo vetëm nga dobësimi i pushtetit
shtetëror por, që në vitet 1970-të, nga një rikthim ndërmjet politikanëve dhe
ideologëve i një kritike ultraradikale laissez-faire të shtetit. Argumentohet,
me më tepër bindje teologjike sesa prova historike, se çdo shërbim që mund të
na ofrojnë autoritetet publike janë ose të padëshirueshme apo që mund të sigurohen
më mirë nga "tregu". Zyrat e postave, burgjet, shkollat, depozitat e
ujit e madje edhe shërbimet e asistencës u janë dorëzuar apo janë transformuar
në ndërmarrje biznsi, ndërsa të punësuarit publikë janë transferuar në agjensi
të pavarura apo janë zëvendësuar nga nënkontraktorë tregëtarë. Madje edhe pjesë
të pajisjeve të luftës janë nënkontraktuar. Modus operandi i firmës private që
maksimizon fitimin është kthyer në një model të cilin e aspiron edhe qeveria.
Kështu, shteti synon të mbështetet në mekanizmat ekonomikë privatë për të
zëvendësuar mobilizimin aktiv dhe pasiv të qytetarëve të tij. Sovraniteti i
tregut nuk është plotësues i demokracisë liberale: ai është një alternativë e
tij. Në të vërtetë, është një alternativë ndaj çdo forme të politikës, pasi
mohon nevojën për vendime politike, të cilat janë në mënyrë preçize vendime
rreth interesave të përbashkëta apo të grupit në dallim nga shuma e zgjedhjeve,
racionale apo ndryshe, të individëve që ndjekin preferenca private. Pjesëmarrja
në treg zëvendëson pjesëmarrjen në politkë. Konsumatori zë vendin e qytetarit.
Dy gjëra e kompensojnë rënien në pjesëmarrjen qytetare, si dhe në efektivitetin
e procesit tradicional të qeverisë përfaqësuese. Kryeartikujt (apo imazhe të
parezistueshëm televizivë) janë objektivi imediat i të gjitha fushatave
politike, pasi ata janë shumë më të efektshëm (dhe shumë më të lehtë) sesa
mobilizimi i dhjetëra mijëra njerëzve. Kanë ikur ato ditë kur e gjithë puna në
zyrën e një ministri lihej mënjanë për t'iu përgjigjur një pyetjeje kritike
parlamentare. Është perspektiva e botimit nga një gazetar investigativ ajo që e
vë më shumë në punë. Dhe nuk janë as debatet parlamentarë dhe as politikat
editoriale që sjellin shprehje të pakënaqësisë publike aq të hapura sa edhe
qeverive me shumicat më të sigurta do t'u dhet t'i marrin ato parasysh ndërmjet
zgjedhjeve: si ai për taksat në përgjithësi, taksat mbi naftën dhe mospëlqimin
e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht. Kur ata ndodhin, nuk ka pikë kuptim që
ata të lihen mënjanë si punë të minoriteteve të vogla, të pazgjedhura e
jotipike, megjithëse zakonisht janë të tillë. Në sajë të mediave, opinioni
publik është më i fortë se kurrë, gjë që shpjegon edhe ngritjen e pandërprerë
të profesioneve që specializohen në influencimin e tij. Ajo që është më pak e
kuptueshme është lidhja thelbësore ndërmjet politikës së medias dhe veprimit
direkt - veprim nga poshtë që i influencon direkt vendimmarrësit kryesorë, duke
kapërcyer mekanizmat e ndërmjetëm të qeverive zyrtare përfaqësuese. Kjo është më
e dukshme në cështjet transnacionale, ku nuk ekzistojnë mekanizma të tillë të
ndërmjetëm. Ne jemi të gjithë të familjarizuar më të ashtuquajturin efekt CNN -
ndjenja politikisht e fuqishme, por totalisht e pastrukturuar se "diçka
duhet bërë" për Kurdistanin, Timorin Lindor apo këdo tjetër. Kohët e
fundit, demonstrimet në Seattle
dhe Pragë kanë treguar efektivitetin e veprimit direkt të mirëfokusuar të
grupeve të vogla të ndërgjegjshëm para kamerave, madje edhe kundër organizatave
të ndërtuara për të qenë imune ndaj proceseve politike demokratike, të tilla si
FMN dhe Banka Botërore. Të gjitha këto parashtrojnë përballë demokracisë
liberale ndoshta problemin e saj më imediat dhe serioz. Në një botë gjithnjë e
më të globalizuar, më transnacionale, qeveritë kombëtare bashkëekzistojnë me
forca që kanë të paktën të njëjtin ndikim në jetën e përditëshme të qytetarëve
të tyre sa dhe ato, por janë në një masë të ndryshueshme jashtë kontrollit të
tyre. Përsëri ato nuk e kanë opsionin politik të abdikimit përpara këtyre
forcave jashtë kontrollit të tyre. Kur p.sh. rriten çmimet e naftës, është në
bindjen e qytetarëve, duke përfshirë ekzekutivët e biznesit, se qeveria mund
dhe duhet të bëjë diçka për këtë, edhe në vende si Italia, ku pak ose asgjë nuk
pritet nga shteti, apo në Shtetet e Bashkuara, ka shumë njerëz nuk besojnë te
shteti. Por çfarë mund dhe duhet të bëjnë qeveritë? Më shumë se në të kaluarën,
ato janë nën presion të pandërprerë nga një opinion i masës që monitorohet
vazhdimisht. Kjo i kufizon zgjedhjet e tyre. Megjithatë, qeveritë nuk mund të
pushojnë së qeverisuri. Në të vërtetë, ato shtyhen nga ekspertët e tyre të
marrdhënieve publike se ato vazhdimisht duhet të shihen të qeverisin, dhe kjo,
siç e dimë nga historia britanike e fundit të shekullit të XX-të, shumëfishon
gjestet, shpalljet dhe nganjëherë legjislacionin e panevojshëm. Dhe autoritetet
publike sot përballen vazhdimisht më vendimet rreth interesave të përbashkët të
cilët janë teknikë si dhe politikë. Këtu, votat demokratike (apo zgjedhjet e
konsumatorëve në treg) nuk merren fare për bazë. Pasojat mjedisore të rritjes
së pakufizuar të trafikut të motorizuar dhe mënyrat më të mira për t'i trajtuar
ato nuk mund të zbulohen thjesht nëpërmjet referendumeve. Për më tepër, këto
mënyra mund të provohen të jenë jopopullore, dhe në një demokraci, është e
pamatur t'i thuhen elektoratit ato që ai nuk do t'i dëgjojë. Si mund të
organizohen në mënyrë racionale finacat e shtetit, nëse qeveritë kanë bindur
veten se çdo propozim për të rritur taksat çon në vetëvrasje elektorale, ku
fushatat e zgjedhjeve kthehen kështu në mashtrime fiskale, dhe buxhetet e
qeverive veprojnë në vështirësi fiskale? Shkurt, "vullneti i
popullit", sidoqë të shprehet, nuk mund të vendosë detyrat specifike të
qeverisë. Siç e vëzhgonin Sidney
dhe Beatrice Webb mbi tradeunion-et, vullneti i popullit nuk mund të gjykojë
projektet, por vetëm rezultatet. Është shumë më mirë të votohet kundra sesa
pro. Kur ajo arrin një nga triumfet e saj kryesore negative, si p.sh.
përmbysjen e regjimeve 50 vjecare të korruptuara të pas luftës në Itali dhe
Japoni, ajo është e paaftë të sigurojë vetë një alternativë. Do të shohim nëse
do të mund ta bëjë një gjë të tillë në Serbi. Dhe përsëri, qeveria është për
popullin. Efektet e saj do të gjykohen nga ajo që bën për popullin. Sado
uniform, injorant, apo madje edhe budalla të jetë "vullneti i
popullit", sado të papërshtatshme metodat për zbulimin e tij, ai është i
domosdoshëm. Si ndryshe mund të vlerësojmë në mënyrën se si zgjidhjet
tekno-politike, sado eksperte dhe të kënaqshme teknikisht në aspekte të tjera,
ndikojnë në jetën e qenieve njerëzore reale? Sistemet sovjetike dështuan sepse
nuk kishte trafik në dy drejtime ndërmjet atyre që merrnin vendime "në
interes të popullit" dhe atyre mbi të cilët zbatoheshin këto vendime.
Globalizimi laissez-faire i 20 viteve të kaluara ka bërë të njëjtin gabim.
Zgjidhja ideale nuk është tani aspak në dispoicion të qeverive. Është një në të
cilën besonin mjekët dhe pilotët e avionëve në të kaluarën, dhe që ende
përpiqen t'i besojnë në një botë gjithnjë ë më dyshuese: bindja e përgjithëshme
se ne dhe ata ndanim të njëjtat interesa. Ne nuk themi atyre si të na shërbejnë
- pasi, si jo-ekspertë, ne nuk mundeshim - por derisa diçka të mos shkonte keq
ne u jepnim atyre besimin tonë. Pak qeveri (në dallim nga regjimet politike)
sot gëzojnë këtë besim themelor apriori. Në demokracitë liberale, ato rrallë
përfaqësojnë shumicën e votave, e jo më elektoratin. Partitë dhe organizatat e
masave, të cilat dikur u jepnin qeverive "të tyre" një besim të tillë
dhe mbështetje të fortë, janë zhdukur. Në mediat e tanishme, shpesh bëhen
komente mbi performancën e qeverisë. Kështu, zgjidhja më konveniente, disa herë
e vetme për qeveritë demokratike është të mbajnë sa më shumë vendimmarrje që të
jetë e mundur jashtë sferës së publicitetit dhe politikës, apo të paktën të
anashkalojnë procesin e qeverisë përfaqësuese. Në Britani, centralizimi i një
pushteti tashmë të fortë vendimmmarrës ka ecur krah për krah me një transferim
të funksioneve në institucionet e pazgjedhura, publike apo private. Një pjesë e
mirë e politikës do të negociohet dhe vendoset prapa skenave. Kjo do ta rrisë
mosbesimin e qytetarëve te qeveria dhe do ta ulë opinonin publik për
politikanët. Pra cila është e ardhmja e demokracisë liberale në këtë situatë?
Përveç teokracisë islame, asnjë lëvizje e fuqishme politike nuk e sfidon në
parim këtë formë qeverie. Gjysma e dytë e shekulli të XX-të ishte epoka e artë
e diktaturave ushtarake. Shekulli i XXI-të nuk duket dhe aq i favorshëm për to
- asnjë nga shtetet ish-komunistë nuk ka zgjedhur të ndjekë këtë rrugë - dhe
gati të gjithë regjimeve të tillë u mungon kurajoja e plotë e bindjes
antdemokratike, dhe pretendojnë vetëm se janë shpëtimtarët e kushtetutës deri
në datën (e paspecifikuar) të kthimit të një regjimi civil. Prapëseprap, sido
që të jetë dukur përpara tërmetëve ekonomikë të viteve 1997-98, tashmë është e
qartë se utopia e një tregu të pashtet, laissez-faire nuk do të arrihet.
Shumica e popullsisë së botës, sigurisht edhe ata nën regjime liberal-demokratikë
që e meritojnë këtë emër, do të vazhdojnë të jetojnë në shtete operacionalisht
efektivë, edhe pse në disa rajone jo të lumtura pushteti shtetëror dhe
administrata në fakt janë shpërbërë. Sidoqoftë, politika do të vazhdojë.
Zgjedhjet demokratike do të vazhdojnë të zhvillohen. Shkurt, ne do të
përballemi me problemet e shekullit të XXI-të me një koleksion mekanizmash
politikë dramatikisht të papërshtatshëm për t'i zgjidhur ato. Ata në fakt janë
të kufizuar brenda kufijve të shteteve kombe, numri i të cilëve po rritet, dhe
konfrontohen më një botë globale që shtrihet përtej rrezes së tyre të veprimit.
Madje nuk është e qartë se në ç'masë mund të zbatohen brenda një territori të
gjerë dhe heterogjen që nuk posedon një sfond politik të përbashkët, të tillë
si Bashkimi Europian. Ato përballen dhe konkurojnë me një ekonomi botërore, që
vepron me anën e njësive mjaft të ndryshme për të cilat konsideratat e
legjitimitetit politik dhe interesit të përbashkët nuk zbatohen - firmat
transnacionale. Mbi të gjitha, ato përballen më një epokë kur ndikimi i
veprimit njerëzor mbi natyrën dhe globin është bërë një forcë e përpjesëtimeve
gjeologjike. Zgjidhja apo zbutja e tyre, do të kërkojë masa për të cilat, gati
me siguri, nuk do të gjendet asnjë lloj mbështetjeje duke numëruar votat apo
duke matur preferencat e konsumatorëve. Kjo nuk është inkurajuese për
perspektivat afatgjata si të demokracisë ashtu edhe të globit. Me pak fjalë, ne
përballemi me mileniumin e tretë si irlandezi apokrifal i cili, i pyetur për rrugën
për në Bellianhinch, u mendua dhe tha: "Po
të isha si ju, nuk do të nisesha që këtu." Por ne po nisemi që ketu.
* Eric Hobsbawm është Professor Emeritus of Economy and
Social History at London
University.
Përgatiti: ARMIN TIRANA