Ketu mund te ishte reklama Juaj!
*
 

Menu
Home
Submit News
Your Account
Content
Topics
Top 10

Me prane njeri tjetrit, me prane Europes
Dėrguar tė Friday, 24 November @ 06:17:08 PST nga aipr

Public Relations Për Shqipërinë, forcimi i bashkëpunimit rajonal, i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dhe integrimi euroatlantik janë prioritetet kryesore të politikës së saj të jashtme. Në këtë kontekst, bashkëpunimi në kuadrin e Nismës së Evropës Qendrore, në të cilën rreth gjysma e anëtarëve janë anëtarë të BE dhe NATO-s, ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë si dhe vendet që aspirojnë integrimin në këto institucione.

Nga Sali Berisha – Kryeminister i Shqiperise*
“ Ndihem shumë i gëzuar dhe i privilegjuar që ju mirëpres sot në Samitin e Krerëve të Qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qëndrore. Duke ju uruar punë produktive, e deklaroj Samitin e Kryeministrave dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të hapur.
Është një nder i madh dhe kënaqësi e veçante për mua, të drejtoj sot punimet e këtij Samiti shumë të rëndësishëm si dhe t’i uroj përzemërsisht secilit prej jush mirëseardhjen në Shqipëri.
Nisma e Evropës Qëndrore, një nga iniciativat e hershme rajonale në Evropë, vazhdon të mbetet një forum i rëndësishëm bashkëpunimi politik dhe ekonomik për vendet tona anëtare, por njëkohësisht, edhe një instrument i fuqishëm nxitës dhe promovues i proceseve integruese, rajonale dhe Evropiane.
Për Shqipërinë, forcimi i bashkëpunimit rajonal, i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dhe integrimi euroatlantik janë prioritetet kryesore të politikës së saj të jashtme. Në këtë kontekst, bashkëpunimi në kuadrin e Nismës së Evropës Qendrore, në të cilën rreth gjysma e anëtarëve janë anëtarë të BE dhe NATO-s, ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë si dhe vendet që aspirojnë integrimin në këto institucione.
Për këtë arsye Presidenca Shqiptare zgjodhi si temë të Samitit të këtij viti çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e bashkëpunimit të vendeve tona në kuadrin rajonal por edhe në kuadër të integrimit euroatlantik.
Përmes një axhende ambicioze dhe pas një Presidence sllovake të shkëlqyer, Presidenca shqiptare në NEQ ka synuar t’i japë përparësi atyre sektorëve dhe aktiviteteve, të cilat sjellin vlerë të shtuar në bashkëpunimin tonë.
Kështu, gjatë vitit 2006, me iniciative të Presidencës shqiptare, janë kryer shumë aktivitete të suksesshme bashkëpunimi në fushat e turizmit, agrikulturës, informacionit dhe media-s, rinisë, arsimit, kulturës, minoriteteve e të tjera si këto.
Me dhjetra aktivitete të tjera janë organizuar në kuadrin e NEQ-it, me iniciativën e sekretariatit të NEQ-it, në vendet e tjera të nismës, në fushat e sipërpërmendura por edhe në fusha të tjera, si në ato të shkencës dhe teknologjisë, zhvillimit të burimeve njerëzore, në sektorin e teknologjisë së informacionit, mbrojtjes së qytetarit, mjedisit, transportit, bisnesit të vogël dhe të mesëm, bashkëpunimit ndër-rajonal dhe ndër-kufitar, aktiviteteve kulturore dhe artistike, e të tjera si këto.
Kësaj liste do t’i shtoja organizimin e Forumit Ekonomik, Konferencën e Zyrtarëve të Lartë të Transportit, Takimet e Forumit Rinor. Se fundmi, do të doja të theksoja dy forumet e reja të lançuara: Forumin e Energjisë së Rinovueshme dhe Forumin e Media-ve.
Shtysat e dhëna nga takimet politike të nivelit të lartë, duke filluar me Samitin e sotëm, për të vazhduar me takimet e Ministrave të Punëve të Jashtme, Bujqësisë, Ekonomisë, si dhe takimin e Asamblesë Parlamentare, etj. kanë luajtur një rol vendimtar në suksesin e këtyre aktiviteteve të përbashkëta. Njëkohësisht, këto takime kanë nxjerrë edhe një herë në pah karakterin unik të NEQ-it si një nga aktorët rajonal më të rëndësishëm por edhe faktin se niveli i pjesëmarrjes rajonale po rritet ndjeshëm.
Në vitin 2006 u miratua Plan i Ri i Aksionit 2007-2009. Ky plan parashikon zhvillimin e aktiviteteve që përfshijnë tre fusha kryesore: zhvillimin ekonomik, të burimeve njerëzore dhe ndërtimin e institucioneve. Do të doja të përshëndesja faktin që aspekte të rëndësishme dhe relevante për shumë vende të rajonit tonë si energjia, turizmi, mjedisi, arsimi dhe shkenca, teknologjia e informacionit, mbrojtja e qytetarëve dhe lufta kundër krimit të organizuar janë parashikuar ndër aktivitetet e NEQ-it për periudhën në fjalë. Gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen qeverive të vendeve anëtare të NEQ dhe, në veçanti, qeverisë Italiane, Bashkimit Evropian, EBRD, si dhe gjithë kontribuesve të tjerë financiare në instrumentet implementuese të NEQ-it, për vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre për të përkrahur aktivitetet e iniciativës. Pa këtë përkushtim, misioni i Nismës do të ishte jo i garantuar, ndaj edhe ju jemi borxhlinj.

Të nderuar pjesëmarrës e të ftuar,
Ne besojmë se urat e bashkëpunimit që kemi ndërtuar deri më tash, shkëmbimi i eksperiencave të ndërsjellta, shtrirja e bashkëpunimit tonë në nivele të ndryshme politike e teknike, forcimi dhe konsolidimi i njohjeve e lidhjeve ndërmjet ekspertëve të vendeve tona, janë asete të çmuara të nismës sonë. Këto asete duhen ruajtur e zhvilluar më tej në të ardhmen, duke i orientuar ato drejt rezultateve konkrete.
Nga ana tjetër, dialogu politik, ekonomik e kulturor, përpjekjet tona për të shkëmbyer dhe për të mësuar nga eksperienca e ndërsjelltë po i sjellin vendet tona edhe më afër me njëri-tjetrin dhe po i ndihmojnë ato në arritjen e standardeve të vendeve më të përparuara brenda nismës.
Sot, një vit nga takimi ynë i fundit në Sllovaki, jemi të lumtur të konstatojmë se, në përgjithësi, Rajoni i Evropës Qëndrore ka hedhur hapa pozitive drejt konsolidimit të demokracisë, ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor.
Përsa i përket rajonit të Evropës Jug-Lindore, ky vit është provuar një vit historik për popujt e vendeve tona. Ata janë sot me shumë se kurrë te bashkuar në projektin e tyre Evropian.
Dy vende të rëndësishme të rajonit, Rumania dhe Bullgaria, më 1 Janar të 2007 bëhen anëtare të BE, duke e çuar në 9 numrin e vendeve të NEQ-it që janë njëkohësisht edhe anëtare të BE-së. Kroacia ka hapur negociatat për anëtarësim. Maqedonisë iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim. Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE. Republika e Malit të Zi shpalli pavarësinë e saj, duke i bërë kështu qytetarët e vet më të lirë. Kosova po shkon drejt finalizimit të statusit të saj si një vend i lirë, demokratik dhe me një vizon të qartë për të ardhmen e saj Evropiane.
Po ashtu, duke pasur si udhërrëfyes Planin e Veprimit për Anëtarësim të NATO-s, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria po i afrohen gjithnjë e më shumë standardeve të NATO-s duke aspiruar të marrin ftesën për anëtarësim në këtë organizatë në Samitin e Uashingtonit në vitin 2008. Premtimi që Presidenti Bush i bëri mikut tonë, Sanader, është një shpresë shumë inkurajuese për të tre vendet tona.
Në kuadër të Kartës së Ariatikut, tre vendet tona po dëshmojnë një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi dhe fqinjësie jo vetëm ne fushën e mbrojtjes por edhe në fusha të tjera si atë politike dhe të sigurisë.
Për Shqipërinë, periudha shtator 2005 - nëntor 2006, e cila pak a shumë përkon edhe me presidencën e radhës së NEQ-it, ka qenë një periudhë transformimesh të mëdha si dhe një periudhë me ngjarje të shënuara për historinë e kombit tonë.
Me ardhjen e qeverisë sonë të koalicionit në pushtet, pas rotacionit paqësor në korrik 2005, vendi u shkëput nga e kaluara e hidhur e korrupsionit, kleptokracisë dhe kapjes së pushtetit nga krimi. Qeveria ndërmori një sërë reformash të thella dhe të gjithanshme që synonin mbi të gjitha konsolidimin e shtetit ligjor, demokracisë, shkatërrimin e krimit, trafiqeve, korrupsionit, zhvillimin ekonomik të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe integrimin në NATO dhe BE.
Rezultatet, pas më pak se një vit e gjysëm qeverisjeje, janë tepër inkurajuese dhe premtuese. Të gjitha organizatat dhe grupet kryesore kriminale janë shkatërruar dhe janë eliminuar të gjitha trafiqet ilegale përmes detit. Për pasojë, rrugët e drogës po zhvendosen me shpejtësi larg nga Shqipëria. Sot qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj, numri i të cilëve u rrit shumë verën e shkuar, ndihen të sigurt në Shqipëri. Shqipëria është një vend i sigurt.
Sipas KPMG-së, reformat e thella fiskale e kanë vendosur Shqipërinë në vendin e parë përsa i përket uljes së taksave si përqindje e taksave dhe kontributeve të tjera. Ulja e çmimeve të energjisë, lehtësimi i procedurave të licencimit dhe regjistrimit të bizneseve, reforma për zhdukjen e informalitetit, reforma e pronës e të tjera si këto, kanë bërë të mundur krijimin e një klime shumë të favorshme për bizneset dhe investimet, duke lejuar në të njëjtën kohë një rritje ekonomike prej 6% në vit. Qeveria sapo ka miratuar projekt-ligjin e ri të koncesioneve në të cilin përfshihet edhe nisma “Shqipëria 1 Euro”. Unë ju ftoj që t’i inkurajoni investitorët tuaj që të vijnë dhe të investojnë këtu. “Shqipëria 1 Euro” është një ftesë shumë miqësore për investitorët e vendeve tuaja, por është gjithashtu edhe një ofertë konkrete për ta. Ata mund të lidhin një kontratë të tërë për truallin, për ujin teknologjik, për qëllime bujqësore dhe turistike për një Euro, si edhe të përfitojnë një listë të gjatë shërbimesh po për një Euro.
Vullneti i palëkundur i qeverisë sonë të koalicionit për të ecur përpara me reforma si dhe rezultatet që ato dhanë bëri të mundur, gjatë Presidencës austriake dhe me interesin e treguar nga Kancelari Shcussel, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 12 qershor 2006. Padyshim që ajo hapi një perspektivë të re për Shqipërinë dhe siç theksova në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes, kjo marrveshje, duke lënë mënjanë një farë lodhjeje dhe disa fenomene të tjera që ekzistojnë sot në gjirin e BE-së, mbetet një kontratë historike dhe një hartë rruge drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në BE për vendin dhe qeverinë që unë drejtoj.
Shfrytëzoj këtë rast për t’ju bërë thirrje Qeverive dhe Parlamenteve të vendeve tuaja të procedojnë në kohën më të afërt dhe të përshtatëshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Parlamentet tuaja, si dëshmi e re e mbështetjes suaj të çmuar ndaj Shqipërisë.
Shqipëria mbetet e angazhuar në të gjitha organizatat dhe nismat rajonale. Synimi ynë është të kontribuojmë në mënyrë aktive për promovimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, nxitjen e zhvillimit ekonomik, promovimin e projekteve të përbashkëta në fushat prioritare të zhvillimit, nxitjen e investimeve të ndërsjellta si dhe të përkrahim dhe ndihmojmë përpjekjet e integruese të rajonit.

Zonja dhe zotërinj,
Do të desha të ndalesha pak te problemet ende të pazgjidhura të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Gjatë shekullit që shkoi, Kosova ishte problemi kyç, dhe me madhor i krizës Ballkanike. Pak muaj më parë, unë isha për një vizitë ne Kosove. Pata kënaqësi te madhe te konstatoja se, ne këto 7 vjetet e fundit, asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar me shume se Kosova. Nga shkrumbi dhe hiri i qindra e mijëra shtëpive te djegura te fshatrave dhe qyteteve te saj, mbi dhimbjen e madhe njerëzore, qytetaret e Kosovës u ngritën si feniksi, dhe, ne saje edhe te ndihmës dhe solidaritetit te vendeve tuaja dhe të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, rindërtuan tërësisht vendin e tyre, zhvilluan ne mënyre te përsëritur zgjedhje te lira dhe te ndershme, konform standardeve ndërkombëtare, ndërtuan institucione efecientë, demokratike, vendosen shtetin ligjor.
Ne takimet që unë pata me qytetare te thjeshte te te gjitha origjinave etnike, drejtuesit politike dhe fetare te tyre, konstatova përpjekjen dhe vullnetin e tyre te palëkundur për te ndërtuar një Kosove evropiane, për të ndërtuar një të ërdhme të vërtetë Evropiane të bazuar në një shoqëri të lirë të qytetarëve te barabarte përparapara ligjit. Konstatova tek shumica shqiptare bindjen dhe vendosmërinë për te falur, por jo për te mos harruar, për te respektuar dhe garantuar liritë dhe te drejtat e pakicave ne tërësi, dhe serbeve ne veçanti, si dhe besimin, trashëgiminë kulturore, gjuhen e tyre. Por konstatova njëkohësisht edhe nevojën e madhe qe ka Kosova për investime, për zhvillim ekonomik bazuar në një treg të lirë e të konsoliduar, te cilët pengohen nga fakti që ende nuk është qartësuar statusi i saj. Pas 7 vitesh paqartësi, populli i Kosovës ka të drejtë legjitime të kërkojë të mos shtyhet më tej zgjidhja e statusit, e cila do të rriste riskun e instabilitetit në rajon.
Përkundrazi, nje qëndrim realist për zgjidhjen e statusit te Kosovës do të ishte dhënia e mbështetjes së plotë, ashtu sikundër është mbështetja e Shqipërisë, ndaj misionit dhe punës të Presidentit Ahtisari dhe përpjekjeve e Grupit të Kontaktit. Unë ju bej thirrje që ta mbështesni punën e Presidentit Ahtisari, si një mediator i drejtë dhe një ndërmjetës i aftë në këtë situatë me të vërtetë shumë delikate. Unë e di se miqtë e Shqipërisë dhe miqtë e Serbisë po hezitojnë. Disa prej tyre janë të frikësuar për shkak të tezës së precedentit, por më lejoni t’u them miqësisht që, nëse konsiderojmë ngjarjet e mëparëshme të Kosovës, luftërat e saj të shkuara të shoqëruara me dhimbje të madhe, varre masive dhe deportime në masë, lumenj e gjaku e lotësh,të ndodhura jo dhjetëvjeçarët e shkuar, por vetëm shtatë vjet më parë, precedenti i kosovës është i paprecedentë. Kosova është një rast unik.
Statusi final i Kosovës do të ndihmonte të tërë rajonin dhe ky status final duhet të përcaktohet duke respektuar plotësisht të drejtat e serbëve dhe të minoriteteve sepse në mungesë të konsolidimit të këtij respekti nuk do të kishte stabilitet në rajon. Por vullneti i shumicës së popullsisë duhet të ketë përparësi, dhe ky vullnet, në mënyra të ndryshme është shprehur për pavarësi. Në projektin e presidentit Ahtisari, misioni i Kombeve të Bashkuara do të zëvendësohet nga një mision i Bashkimit Evropian, çka tregon se përpjekjet e banorëve të Kosovës, të cilësdo kombësi qofshin, për një projekt evropian, i cili është i shumë i nevojshëm për banorët e Kosovës, shqiptarët, etj. do të marrë ndihmën dhe asistencën e nevojshme. Unë përshëndes vendimin e presidentit Tadiç, i cili hodhi poshtë idenë e përdorimit të forcës për këtë çështje. Ftoj Beogradin që t’u kërkojë serbëve të jetojnë në Kosovë dhe t’i mbrojë ata nga qëndrimet ultranacionaliste që kanë për qëllim t’i manipulojnë. Serbët e Kosovës duhet ta shohin të ardhmen më të mirë për ta në Kosovën në të cilën ata jetojnë.
Duke e mbyllur do të shtoja se prezenca në NEQ e 7 vendeve anëtare të BE-së, (të cilat nga janari 2007 bëhen 9) krijon mundësi të shkëlqyera për transmetimin e politikave të BE-së drejt vendeve aspirantë e ato pjesëmarrës në Procesin e Stabilizim Associmit. Por nga ana tjetër, mendoj se këto vende mike duhet të luajnë një rol akoma edhe më aktiv për inkurajimin e projekteve të mëdha infrastrukturore evropiane, si p.sh. Korridori 8, të cilat do të bëjnë të mundur lehtësimin e lidhjeve dhe rritjen e kontakteve midis vendeve tona anëtare të NEQ-it, dhe midis tyre dhe BE. Në veçanti rajoni ynë i Ballkanit perëndimor ka nevojë imediate për infrastruktura moderne transporti rrugor, detar, apo infrastruktura energjetike. Unë shpresoj se në vitin e ardhshëm kjo iniciativë do të luajë një rol vendimtar për promovimin e këtyre vendeve.

* Fjale e mbajtur ne Samit-in e Kryeministrave te CEI –t ne Tirane me 24.11.2006

 


 
Links Tė Ngjashėm
· Tjetėr Public Relations
· Lajme nga aipr


Artikulli mė i lexuar nė lidhje me Public Relations:
Marredheniet Publike permes kulturave: Te ndertojme ura nderkombetare komunikimi


Voto Artkullin
Mesatarja: 0
Vota: 0

Ju lutem, ndalo njė sekondė dhe voto pėr kėtė artikull:

I Shkėlqyeshėm
Shumė i Mirė
I Mirė
Normal
Nuk bėn njė lek


Opcione

 Faqe e Stampueshme Faqe e Stampueshme


"Login" | Login/Krijo Account | 0 komente
Komentet janė pronė e kujt i bėn. Ne nuk jemi pėrgjegjės mbi pėrmbajtjen e tyre.

Komentet Ndalohen pėr Anonimėt, regjistrohu

 

 

 

Partners: