Shqipëria është e
vendosur që të shtojë shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik me
Kosovën, si një mundësi zhvillimi për të dy vendet. Zyrtarë të qeverisë pohojnë
se krahas ndërtimit të autostradës Durrës- Morinë që do të lidhë Shqipërinë me
Kosovën, autoritetet kanë menduar lehtësimin e disa kushteve të tjera për
qarkullimin më të mirë të mallrave dhe bizneseve në të dy anët e kufirit.
Nga Ilirian Agolli - VOA
Shqipëria është e
vendosur që të shtojë shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik me
Kosovën, si një mundësi zhvillimi për të dy vendet. Zyrtarë të qeverisë pohojnë
se krahas ndërtimit të autostradës Durrës- Morinë që do të lidhë Shqipërinë me
Kosovën, autoritetet kanë menduar lehtësimin e disa kushteve të tjera për
qarkullimin më të mirë të mallrave dhe bizneseve në të dy anët e kufirit.
Ministri i Financave
Ridvan Bode thotë se në projekt-buxhetin e vitit 2007 është programuar ulja dy
herë e nivelit të taksave doganore, për të plotësuar detyrimet në kuadrin e
Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, Marrëveshjes me Organizatës Botërore të
Tregtisë dhe veçanërisht të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit të
ratifikuar me Bashkimin Europian.
"Ideja për të
zgjeruar shkëmbimet tregtare në rajon nuk është e re, por është i tillë
intensifikimi që po bën qeveria shqiptare për t'i mundësuar ato së pari me
Kosovën. Kjo reflekton edhe një detyrim moral dhe prioritet të natyrshëm të një
kombi unik të ndarë në dy shtete. Ne do të përpiqemi maksimalisht që të bëjmë
të mundur lehtësimin e cdo lloj detyrimi dhe barre fiskale, apo detyrimesh të
tjera ekonomike që kanë qytetarët e të dy vendeve në shkëmbimet dhe
veprimtaritë ekonomike që ato do të realizojnë tek njëri-tjetri" - tha
zoti Bode.
Nga ana tjetër, ministri
Bode thotë se shkëmbimi faktik i mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës është
aktualisht në nivele të larta, duke shtuar se në kuadër të Marrëveshjes së
Tregtisë së Lirë Shqipëri - Kosovë zhvillimi ekonomik reciprok do të ngrejë më
tej edhe marrëdhëniet tregtare.
"Ne kemi gati
tërësisht të zbatuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Kosovën. Niveli i
shkëmbimeve dhe furnizimeve reciproke ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik të
vendeve; pra, se sa është në gjendje Shqipëria të plotësojë me mallrat e saj
nevojat e Kosovës, dhe sa është në gjendje Kosova të plotësojë nevojat e
Shqipërisë me mallra origjine. Mendoj që përqindjet e këtyre shkëmbimeve për
nga origjina do të kufizohen dhe do të kushtëzohen nga niveli i zhvillimit
ekonomik, ndërsa përqindjet e shkëmbimeve nga pikëpamja e tranziteve dhe
lëvizjeve janë jashtëzakonisht të mëdha dhe dëshmojnë këtë intensitet marrëdhëniesh
që kanë të dy vendet tona" - thotë zoti Bode.
Studiuesit e ekonomisë
dhe financave shqiptare janë përfshirë këto ditë në diskutimet për
projekt-buxhetin e shtetit 2007, pjesë e të cilit është edhe nxitja e
shkëmbimeve tregtare. Ai parashikon rritjen e investimeve publike 50% më shumë
se një vit më parë dhe 2 herë më shumë se 2005. Buxheti për arsimin do të
rritet 21%, ai për mjekësinë 17 %, krahas rritjes me 20% të pagave në këto
sektorë dhe rritjes së pensioneve në qytet dhe në fshat.