Ketu mund te ishte reklama Juaj!
*
 

Menu
Home
Submit News
Your Account
Content
Topics
Top 10

Underground
Dėrguar tė Monday, 25 September @ 12:05:46 PDT nga aipr

Kulture Në vend që t’i drejtohet dokumentit për të gjykuar mbi një figurë a mbi një periudhë të caktuar kohore, historiani ynë, analisti a gazetari e injorojnë arkivin për të gjykuar me mite, me opinione a me gjithfarë burimesh të dorës së dytë dhe të tretë.

Nga Sadik Bejko
Undergroundi, tuneli, e nëndheshmja e jetës sonë politike mbahet e kyçur në errësirën e arkivave të vendit apo të arkivave të huaja të pahapura kurrë. Kjo mbetet, nuk dihet pse, dukuria më misterioze mbi atë se si ne vazhdojmë t’i gjykojmë ngjarjet dhe figurat e historisë sonë. Në vend që t’i drejtohet dokumentit për të gjykuar mbi një figurë a mbi një periudhë të caktuar kohore, historiani ynë, analisti a gazetari e injorojnë arkivin për të gjykuar me mite, me opinione a me gjithfarë burimesh të dorës së dytë dhe të tretë. Dikur arkivat ishin të varrosura dhe për të gjykuar mbi ngjarjet a faktet e së shkuarës duhet të mbështeteshe te opinionet e politikës a te parimet e filozofisë marksiste. Sot ato janë të hapura, por inercia vazhdon, na mungon dëshira që të zbresim në arkiv, që të zbardhim dhe të shkundim nga pluhuri një dokument. Ndaj undergaundi mbetet atje nën dhé, mbahet i burgosur, i papërfillur. Duket askujt nuk i intereson që të zbardhet. Në Evropë, në Amerikë dhe kudo, pas një kohe i zbulojnë dhe të palarat e së shkuarës së afërt. Edhe
të presidentëve të tyre më të suksesshëm. Madje tallen dhe i ironizojnë ata sa të munden. Shqipëria u hedh jorganin përsipër dhe i mbulon të pëgërat e jetës së saj politike. Kështu veprohet që prej kohësh. Kështu edhe dje, edhe sot. Amerika vazhdojnë të tallet me skandalin Levinski të presidentit Klinton, ekranizon dashuritë e fshehta të Kenedit. Sa vdiq njëri nga presidentët e viteve 20, atje doli një libër me titull “Vajza e presidentit”,
libër me dokumente e fakte për një bijë të tij të jashtëligjshme. Po kështu Miteranit, pas vdekjes, i dolën në shesh shumë nga skutat e jetës së tij private dhe të asaj joprivate. Pse në jetën shqiptare botimi i dokumenteve dhe dëshmive të sakta nga arkivat nuk është praktikë? Madje pse një gjë e tillë nuk shihet me sy të mirë? Mbase se ne jemi një vend jo i lirë. Mbase se ne na pëlqen manipulimi dhe idolizimi i figurave tona politike, gjë që është në praktikën e shteteve totalitare. Ne gjykojmë si manikeistë. Parapëlqejmë figurat bardhë ose zi. Atij që është i bardhë, ia retushojmë hijet a të metat. Atij që është i zi, i vëmë përsipër të gjitha të zezat e botës. Në vendet e lira edhe një president i suksesshëm, si F. D. Rusvelt, nuk kursehet për hijet që ka pasur në jetën e tij private. Në botë, duke e vlerësuar për çfarëdo të mire që ka sjellë në jetën publike një ish-dikushi, prapë, për mos ta idealizuar atë, nuk ia përtojnë që të publikojnë dhe dobësitë e tij njerëzore, edhe veset. Vese që, në fund të fundit, nuk kanë arritur deri atje sa ky dikushi të vihet në radhët e kriminelëve a të armiqve të vendit të tij.
Po të nisemi nga të meta karakteri, të meta në jetën private edhe mbreti ynë, siç ka shkruar ndonjë shkrimtar, edhe Enver Hoxha mundet të kenë lënë bij a bija të jashtëligjshëm, (nëpër tavolina disa nga këto përfliten edhe me emra). Por, nëse përfliten, ato nuk përbëjnë kuriozitet ose lajm sensacioni për gazetarët e sotëm. Ndodh kështu se nuk është në kulturën tonë konsultimi me dokumentin, nuk është në praktikën e këtij vendi hapja e arkivave, sepse, siç thamë, këtij vendi ende i pëlqejnë ose heronjtë, ose
armiqtë. Gazetarëve të sotëm, për shembull, u pëlqejnë kujtimet me xhaxhushë veteranë, ashtu siç i kanë mësuar teto edukatoret e kopshteve dikur. Nxijnë faqet e gazetave me gjithfarë përrallash nostalgjike dhe, ta zëmë, lënë në heshtje një dokument të nxjerrë nga
arkivat ruse, i cili këto ditë sapo është botuar në një libër. Në këtë dokument thuhet se Enver Hoxha u tha rusëve që “të merrnin në ruajtje” arin shqiptar. Dhe rusët e “morën arin në ruajtje”. Komenti i një historiani (A. M.) për këtë “marrje në ruajtje” është
se Enver Hoxha e paska blerë me arin shqiptar pushtetin nga sovjetikët. Kjo që sapo thamë, do të thotë se në Shqipëri, edhe kur botohet një dokument, nuk vlerësohet, por nuk
vlerësohet fare, as sa një bisedë me xhaxhi veteranin. Edhe pse në dokumente të këtij lloji nuk zbulohen të meta karakteri a vese njerëzore, por shitja e interesave dhe e pasurive të vendit. Mbase pikërisht këtu është sekreti që arkivat tona nuk hapen. Të pushtetshmit nuk duan të hapen se u dalin të zezat, mynxyrat në kurriz të këtij populli Underground. Ermir Kushturica u bë i famshëm me një film të titulluar kësisoj. Në shqip kjo fjalë përkthehet pak a shumë tunel. Por tunel nuk është krejtësisht e barasvlefshme me underground. Undergound është diçka më e thellë, se sa tunel. Mbase është një truall i tërë i nëdheshëm. Truall që mund të jetë i barabartë me atë që grekët e lashtë e quanin botë e
Hadit. Pra, një botë e hijeve. E atyre që kanë ikur nga kjo botë, por që gjallojnë si shajnë në një trevë të përtejme. Gjallojnë dhe që prej andej misteriozisht komunikojnë prapë me botën e këndejme. Nisin ca kumte a ca zëra të tejlargët si të flisnin nga Australia apo
nga nënakujt e Antarktidës. Mbase kështu vazhdojnë ta mbajnë peng në nënbotën e tyre të hijeve mbibotën e të gjallëve, botën ku jemi ne. Po të botohen dokumentet, magjija e të mbajturit peng nga forcat e ferrit prishet. Dhe me që këtë shkëputje nga ferri nuk po e bëjmë, ne mbetemi të gënjyer. Mbajmë për hero një që në arkivat e undergroundit mund të jetë bandit. Esad Pasha pranohet gjerësisht që është tradhtar, por dikush thotë është hero. Po kështu flitet dhe për Avni Rustemin, por në kah të kundërt: ai është hero me buste në Tiranë, Vlorë dhe Libohovë, por për në kujtimet e shumëkujt (F. Konica, E. Vlora etj.) është vrasës. Pse nuk botohen dokumentet, kur dihet nga të gjithë që dokumentet (jo kujtimet) për vlerësimin e një ngjarjeje, të një figure janë burimi i dorës së parë. Dikujt i pëlqen që të notojmë në errësirë e në tollovi, që të mbetemi të pakthjelluar në lidhjet me të shkuarën tonë. Të zvjerdhemi e ta përçmojmë në tërësi atë. Të mos kemi histori. Haxhi Qamili, për turpin tonë, ende ka një bust dhe ende një shkollë mban emrin e tij. Për shumicën e dëshmitarëve të kohës së tij dhe për shumë personalitete të së sotmes, Haxhi Qamili është një bandit. Më shumë se një bandit. Cila është e vërteta? Pse nuk botohen dokumentet e arkivave të kohës? E arkivave në Shqipëri dhe kudo gjetkë. Shumë nga ministrat a figurat e tjera të viteve ’30, përfliten se kanë shërbyer si kallëzues te ambasadat e vendeve jo mike me Shqipërinë dhe për këtë rregullisht kanë marrë para. Këtë zanat e kanë bërë, siç del nga arkivat ruse, dhe byroistët ministra të komunizmit.
Pse nuk botohen dokumentet e arkivave? Dokumente që mund të jenë në arkivat shqiptare apo dhe në ato të huaja. Një kryeministër në vitin 1993 u tha ministrave të tij të mos e merrnin përsipër misionin e kallëzuesit të vendit të tyre tek të huajtë, se të gjitha bisedat e
njerëzve me rëndësi regjistrohen. Se të huajt këto i ruajnë në arkiva dhe një ditë i botojnë. A do t’i botojnë të huajt raportet mbi ngjarjet dhe personat politikë të vitit 1997? Sigurisht që një ditë do të botohen. Një arkivist që nuk jeton më, më ka dëshmuar se gjithë sa ka thënë dhe ka bërë Noli më 1936-ën në Kongresin e Internacionales në Moskë, sekretari i tij ia raportonte me shkrim mbretit Zog. Në arkiv është dokumenti si edhe shkrimi i Mbretit përsipër tij me porosinë që kallëzuesit “T’i jepen 200 napolona flori”. Cili ka qenë ky kallëzues? Kështu, ne shqiptarët e mbajmë të gjallë dhe të ngrohtë ferrin, e mbajmë të kyçur përbrenda undergrondin tonë. Personazhet e këtij ferri mund të çkalcifikohen. Mund të nyjëtohen si të gjallë dhe të enden prapë këtu midis nesh. Personazhe të zinj, gri, të kuq dhe të vampirshëm, që ndonëse të vdekur, ndjehen të gjallë si Ali Pasha, si Ahmet beu, si Enver Hoxha. Ndjehen mirë si në këtë botë dhe aty në ferrin tonë. Mbase aty në underground me një temjanicë në dorë vetë imzot Noli u këndon “Marrshin e Barabait”. Dhe janë bashkë: spiunë të Aliut, të mbretit, të sigurimit, të të huajve… Janë andej, por edhe këndej në jetën tonë. Ata që ditën e për së gjalli, i ndezin qiri Krishtit dhe natën djallit. Cilat janë këta? Cila është fytyra e vërtetë e figurave tona? Në ç’ përmasë e mira dhe e keqja shqyhen dhe ngjiten mbi fytyrat e tyre? Që t’i njohim mirë kush kanë qenë, që të mos spekulohet me to, le të hapen dhe të botohen gjithë ç’ ka për ta në arkivat. Në arkivat tona dhe në ato me rëndësi në botë.


 
Links Tė Ngjashėm
· AIPR
· Tjetėr Kulture
· Lajme nga aipr


Artikulli mė i lexuar nė lidhje me Kulture:
Vikers dhe Pettifer abuzojne rende me te verteten


Voto Artkullin
Mesatarja: 5
Vota: 1


Ju lutem, ndalo njė sekondė dhe voto pėr kėtė artikull:

I Shkėlqyeshėm
Shumė i Mirė
I Mirė
Normal
Nuk bėn njė lek


Opcione

 Faqe e Stampueshme Faqe e Stampueshme


"Login" | Login/Krijo Account | 0 komente
Komentet janė pronė e kujt i bėn. Ne nuk jemi pėrgjegjės mbi pėrmbajtjen e tyre.

Komentet Ndalohen pėr Anonimėt, regjistrohu

 

 

 

Partners: