Në pikëkalimin kufitar Debeli Brijeg, mes Dubrovnikut dhe Herceg Novit, valon flamuri i Mbretërisë së Malit të Zi, por sjelljet e policëve kufitarë më shumë iu përngjajnë hajdutëve, të cilët në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane bllokonin rrugët dhe plaçkitnin kalimtarët, kalorësit dhe karvanët. Pas kontrollit të pasaportës, një procedurë që zgjat si përherë sa një përjetësi, vjen një doganier dhe me ton urdhërues kërkon “cigare, cigare”.
Nga Enver Robelli, Podgoricë *
Tre muaj më parë, Milo Gjukanoviq arriti fitore në referendumin për pavarësinë e republikës së tij të vockël. Në zgjedhjet e nesërme, ai mund t’i fitojë edhe zgjedhjet parlamentare
“Gjithçka do të bëhet mirë, kur Mali i Zi sërish të fitojë pavarësinë shtetërore dhe t’i japë fund lidhjes gati 90-vjeçare me Serbinë“. Kështu kishin premtuar përkrahësit e pavarësisë, me kryeministrin Milo Gjukanoviq në krye, para referendumit në maj. Referendumi u fitua, gëzimi ishte i pafund, sidomos në Podgoricë dhe në Cetinje, qytetin e vjetër rezidencial të Mbretërisë së Mbretit Nikolla. Çfarë ka ndryshuar që nga atëherë në Republikën e pavarur të Malit të Zi? Në pikëkalimin kufitar Debeli Brijeg, mes Dubrovnikut dhe Herceg Novit, valon flamuri i Mbretërisë së Malit të Zi, por sjelljet e policëve kufitarë më shumë iu përngjajnë hajdutëve, të cilët në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane bllokonin rrugët dhe plaçkitnin kalimtarët, kalorësit dhe karvanët. Pas kontrollit të pasaportës, një procedurë që zgjat si përherë sa një përjetësi, vjen një doganier dhe me ton urdhërues kërkon “cigare, cigare”. Me qejf të prishur ai merr një pako cigare të një marke jo aq të njohur në Ballkan dhe hapur kërkon cigare, për të cilat në mbarë botën bën reklamë një kauboj. Mirësevini në Mal të Zi!
Tre muaj pas fitimit të sovranitetit, në Mal të Zi ka marrë fund dalldia. Të gjithë janë kthyer në realitetin e hidhur. Jo vetëm policët ankohen për rrogat e dobëta. “Qe 15 vjet politikanët na premtojnë parajsën, por rroga ime ende është vetëm 220 euro”,- thotë një polic afër qytetit Mojkovac. “Politika,- thotë ai- s’më intereson”. Edhe pse, këtë të dielë qytetarët e Malit të Zi do të zgjedhin përbërjen e re të parlamentit. Tashmë, nuk ekziston asnjë dyshim se kush do t’i fitojë zgjedhjet: Milo Gjukanoviq, një politikan ballkanik i larë dhe shpëlarë me të gjitha ujërat, i cili në fillim të viteve ‘90-të, si funksionar i ri komunist, kishte qenë përkrahës i regjimit të Slobodan Milosheviqit, ndërsa nga mesi i viteve ‘90-të, u bë kundërshtari kryesori i diktatorit në Beograd. Deri-diku, Gjukanoviq e shndërroi Malin e Zi në oazë të demokracisë. Opozitarë të kërcënuar serbë gjetën strehim në këtë republikë; gazetat e ndaluara në Serbi, filluan të shtypeshin në Podgoricë.
Për të fituar zgjedhjet e nesërme, Partia Demokratike e Socialistëve, e prirë nga Gjukanoviq, ka lidhur një aleancë me Partinë Socialdemokrate të Ranko Krivokapiq, i cili në katër vitet e fundit ka qenë kryetar i parlamentit dhe me partinë e minoritetit kroat. Sipas anketave të fundit, lista zgjedhore “Për një Mal të Zi evropian - Milo Gjukanoviq” mund të fitojë mes 40 dhe 45 për qind të votave dhe të arrijë shumicën absolute në parlamentin prej 81 vendesh. Në rast se nuk ka sukses, Gjukanoviq mund të zgjedhë partnerët mes partive shqiptare apo boshnjake.
Kundërshtarët politikë të Milo Gjukanoviqit, veprojnë si të ishin pa kokë. Në prag të fushatës së referendumit ata kishin luftuar me pothuaj çdo mjet, kundër ndarjes nga Serbia dhe kishin humbur përkundër përkrahjes së qarqeve nacionaliste serbe të drejtuara nga kryeministri Vojislav Koshtunica, i cili ishte përpjekur t’i joshë malazezët që të mbesin në unionin shtetëror me Beogradin, duke përdorur parullën: “Mali i Zi në Danub, Serbia në det”. Tani Serbia ka mbetur pa dalje direkte në det, pa marinën ushtarake dhe, me gjasë, deri në fund të vitit edhe formalisht ajo do të mbesë edhe pa Kosovën.
Kundërshtarët e Gjukanoviqit, të mbledhur në Partinë Popullore Socialiste të Predrag Bullatoviqit, s’kanë më fuqi të duhur politike dhe dukshëm e kanë zbutur retorikën. Një tubim parazgjedhor i kësaj partie në sheshin kryesor të Podgoricës, më shumë i ngjan një ceremonie mortore. Paksa më aktive në fushatën zgjedhore, është Partia Popullore Serbe, e cila ka lidhur një aleancë me radikalët e Vojislav Sheshelit, të akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Kjo parti kërkon të drejta autonome për serbët e Mali të Zi. Në regjistrimin e fundit të popullsisë prej 650 mijë banorësh të Malit të Zi, rreth 30 për qind janë deklaruar si serbë.
Një frymë të re në fushatën e vakët zgjedhore, ka sjellë vetëm një parti e re: Lëvizja për Ndryshime, e Nebojsha Medojeviqit. Kjo parti është krijuar nga një organizatë joqeveritare e ekspertëve ekonomikë; Medojeviq, gjatë fushatës e ka sulmuar ashpër Gjukanoviqin, të cilin e ka quajtur shkaktarin kryesor të mjerimit ekonomik, korrupsionit dhe klientelizmit. Medojeviq, është njëri ndër politikanët më të popullarizuar në Mal të Zi dhe shpreson se me ndihmën e kampit proserb, do të krijojë një qeveri teknike. Ai, me ton polemist thotë se pas Bjellorusisë, Mali i Zi është vendi i vetëm në Evropë, ku nomenklatura komuniste e drejtuar nga Gjukanoviqi, ka arritur të ruajë pushtetin. Lëvizja e Medojeviqit ende nuk është e tabluar si parti në mbarë vendin dhe nuk ka shanse të marrë pushtetin. Gjukanoviq, i cili edhe në arenën ndërkombëtare është i diskredituar, për shkak të kontrabandës me cigare gjatë viteve ‘90-të, nuk njeh mëshirë kur lufton rivalët politikë, madje edhe duke keqpërdorur drejtësinë: Të enjten, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, Medojeviq u mor në pyetje nga policia, nën akuzën se ka manipuluar tatimet. Më parë, Gjukanoviq i kishte thënë Medojeviqit, se nuk kishte arritur asnjë sukses në jetën e tij, përveç fitores në një garë në gjimnaz, ku kishte dalë i pari në ngrënien e bakllavasë!
* Ky shkrim eshte marre nga Gazeta Shekulli