Beteja sedėrllinjsh nė emėr tė Atdheut
Dėrguar tė Sunday, 02 July @ 10:56:52 PDT nga aipr
|
|
Kam prirjen të besoj se edhe në debatet publike midis shqiptarëve të letrave (doemos të atyre që ushqehen me politikë) ka jo pak prani sedërllinjsh. Virusit ballkanik nuk i shpëtojnë dot as individë që mëtojnë të mbeten në kurorën e përfaqësimit. Por jo vetëm ata
Nga Faruk Myrtaj Kam prirjen të besoj se edhe në debatet publike midis shqiptarëve të letrave (doemos të atyre që ushqehen me politikë) ka jo pak prani sedërllinjsh. Virusit ballkanik nuk i shpëtojnë dot as individë që mëtojnë të mbeten në kurorën e përfaqësimit. Por jo vetëm ata. Për shkak të mënyrës se si rrodhi historia shqiptare (pasojë e një diktature jo njerëzore, e një letërsie pa njeriun si qenie ekzistenciale, por edhe e një shtypi dhunuar pothuajse dëshirueshëm prej politikës), e Shkuara mbetet edhe më tej si Vazhdimësi. Janë figura të asaj kohe, sedërllinjtë që prodhojnë lëndë për konsum ditor. Në të vërtetë, mbajnë peng ritmin e të sotmes që mund të debatonte më realisht. Nuk them më shumë se botimi i kujtimeve për heronjtë e heshtur apo të gjallë të po asaj kohe. Së bashku me Dritëro Agollin, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja u thirrën si përshëndetës të numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, por ngjarje ka qenë edhe kur këta emra nënshkruanin tek Zëri i Popullit, pak kohë më parë pluralizmit. Kadare, veç Nder Kombi, është së fundi edhe kryetar nderi i “Mjaft”, Qosjen e kanë respektuar si Kryetar Nderi të shoqatës “Labëria”. Të mësuar prej vitesh ta shohin veten në “faqet e para”, nuk kanë shkuar ndërmend të largohen nga politika ditore, i kanë përdorur pjesë të kontributit të tyre për sezonalitete të saj; nuk rrijnë dot pa titujt e mëdhenj dhe reklamat vetëtitëse të skenës publike. Ashtu janë mësuar, fjala e tyre ka elektorat dhe në këtë kahe ndjehen detyrime; pse jo, vetë ne jemi mësuar me praninë e tyre, i kemi bindur tashmë ata (dhe veten) se pa ata nuk bëjmë, pa ata dielli do të ndalet diku në trajektoren e tij. U kemi thurur aq shumë hohorama sa, kur ndodh të gabojnë (dhe, si shumë po i shtojnë të gabuarat!) shfaqen qejfmbetur nëse u bëjmë ndonjë vrejtje të vockël, sa për t’i përmendur, ti shohësh si u mbetet hatri kur nuk u marrim parasysh sugjerimet apo këshillat. Emri u është madhuar, duhen respektuar në vlerat që kanë, por edhe duhen kuptuar në dobësitë njerëzore: shqiptarë, ballkanas janë.
Bëhen të vështirë sedërllinjtë, kur kanë edhe kujtesë të fortë! Si njerëz letrash, më shumë. Mbajnë shënime, si shkrimtarë u vijnë në ndihmë, por në politikë shfaqin dimensionin më pak serioz të mundshëm. A s’e vemë re: Të Mëdhenjtë e Letrave, ngjajnë me të Mëdhenjtë e Politikës?! Thuajse gjithë që janë imponuar në politikën dhe jetën publike shqiptare, kanë pasur kujtesë të lemerishme. Mu për këtë shkak, diçka që ka ndodhur dhjetra vite më parë risillet në kujtesë pas vitesh e dhjetra vjetësh. Ndërkohë mëria është rritur. Sedërllinjtë fiksojnë në kujtesë edhe të mirën, por zakonisht thërresin në ndihmë të keqen. Që më vonë sjellë hakmarrjen, e cila nuk u duket kurrë vonë. Teksa tashmë dëgjojmë se edhe më i urti prej politikanëve shqiptarë, Ibrahim Rugova, paskej bërë mëri të heshtur me ndokënd, mbetet ta quajmë sedërlizmin ves-virtyt kombëtar. Na duhet ta zgjedhim nderin e kombit midis ekzemplarëve të këtij lloji, edhe pse nderi ia vlen të qëmtohet e lartësohet në mënyra të tjera. Sedërllinjtë që arrijnë të ngjiten në sy të vëmendjes kolektive, mësohen të respektohen e të ndjehen si të paqortueshm, fjala ndaj tyre duhet matur; me ta duhet bërë kujdes. Edhe pushtetet, zakonisht të pasjellshëm me qytetarin e votuesin e evtë, tregohen pothuaj xhentilë ndaj këtij lloji. Është e vërtetë se disa politikano-deputetë dhe gazetarë i kanë sugjeruar Kadaresë të bëj Presidentin, të tjerë në Prishtinë shtynë Qosjen të bëj kryetarin e një partie. Kadare nuk u josh nga kjo ofertë, por obsesioni sidosi ka mbetur edhe tek ai. Madje, jo pa shkak. Mbamendja sipas së cilës ai rezultonte kryetar informal i Lidhjes së Shkrimtarëve, gjallon tani teksa ai shërben herë si kryetar shteti dhe thuajse gjithnjë si Ministër i Jashtëm, Ministër i Kulturës. Së fundi mund ta konsiderojmë me të vërtetë si Ministër Identiteti të të Gjithë Shqiptarëve. Ismail Kadare gjithnjë ka funksionuar si Institucion. Madje, nëse e shtrijmë pa ngarkesë këtë figuracion, është i vetmi nga institucionet e para vitit 1990 që ka mbetur më këmbë. (Por ky është subjekt tjetër; s’ka lidhje me sedrën e ndokujt!) Nuk dihej kur apo si i kishte mbetur qejfi me tashmë-ministrin e Jashtëm dhe paralajmëroi sapo-kryeministrin Berisha të mos e emëronte Besnik Mustafajn. E përse? Sepse nuk është aq shkrimtar sa mbahet! Edhe?! Mustafaj ka qenë aty dhe Berisha përqarkësit do zgjedh. Të flasësh nga jashtë, si intelektual apo si i paanshëm, edhe nëse ke të drejtë, nuk është e njëjta gjë. Si Ismail Kadare mund të bësh vërejtje për tërë godinën e PD-së, prej fillimit e gjer sot, por s’mund të merresh me mobiljet e secilës prej dhomave të saj! Rexhep Qosja po kështu në trojet e “Shqipërisë së Jashtme”. Ngaqë Berisha (s’mund të mos) kishte marrëdhënie të mira me Rugovën, Qosja refuzoi të ishte i pranishëm në ceremoninë për rikthimin vdekur të Faik Konicës në Tiranë. Kadare e Agolli e të tjerët e Letrave, nëse s’bënë më parë diçka për aristokratin, nuk mund të mos ishin aty. Qosja e shfreu mllefin ndaj të tjerëve pikërisht ndaj Berishës: Ç’punë kishit ju zoti president në atë ceremoni? (!!!) Kur, nëse Berisha nuk do të ishte aty, Qosja dhe çdokush mund ta pyeste: Ku ishe atë ditë, zoti President? Rexhep Qosja është ekzemplar; vetëm ai ia justifikon vetes deri edhe mospraninë në ngritjen e monumentit të heroit kombëtar në Prishtinë, kur tërë figura e aktiviteti mbi të cilin ngrihet emri i tij pikërisht në një rast të tillë do të mund të vetëtinte. Përse kaq ashpër? Kaq uthull e fortë! Nuk di ndonjë gazetë të ketë refuzuar shkrimin e ndonjerit prej sedërllinjve, apo ta lusë me durim të shfaqë përgjegjësi, së paku në etiketimet apo fyerjet për tjetrin. Është pikërisht një përunjie e tillë, e tepruar, janë pikërisht miklimet e panevojshme të sedrës, që hapin shtigje për sedërprekje të ardhshme. Lëvduar tej mase, shpesh për vlera jashtë-librore, nisin e identifikohen me popullin, atdheun, mëmëdheun, ndërgjegjen, kulturën, demokracinë...Madje edhe më gjerë: me Lindjen dhe Perëndimin! Në krye mistifikimi nisë si formalitet, si dhuratë pushtetare në kuadër të politikës letrare. Më vonë lëvdatat shndërrohen në vlerësime të dhëna një herë e përgjithnjë. Të padiskutueshme. Individi merr atributet e shkresës së firmosur dhe vulosur. Asnjë alternativë veç bindje ndaj fermanit për respektimin e tyre. A thua ligji për ruajtjen e figurave, aplikuar si tragji-komedi në fund të viteve ’80 është ende në fuqi! Për të shpallur dekorin e ndeshjes midis, sedërllinjtë marrin nëpërgojë hallet e Atdheut. I paraqesin hallet e tyre si halle të Tij, marrë përsipër për tu zgjidhur prej tyre. I japin përmasë kombëtare sedrës së tyre të cënuar. Që t’u justifikohet e bëhet i besueshëm lëndimi i egos së vetë, e shndërrojnë fyerjen ndaj tyre si fyerje nacionale, pabesinë e një polemike e shpallin tradhëti kombëtare, e identifikojnë veten si popull të tradhëtuar, autoritetin e vetë si identitet kombëtar të vënë në dyshim dhe...të tjera “kombëtarizma” të tilla. Nuk di ç’e ka shtyrë Ismail Kadarenë të besojë se është i talentuar të shkruajë libra ashtu edhe të bëjë parashikime, analiza apo t’u japë udhë ca problemeve që janë punë e të tjerëve. Nuk shpjegohet dot përse Rexhep Qosja, në të njëjtën kohë që tenton të ruaj akademizmin, nxiton të popullojë gazetat me javashllëkun tipik dhe me të qenit gati për të bërë qortuesin dhe baballëkun kombëtar! Kadarenë mund ta qortoje për të vonuar në azilin e tij politik (5 vjet pas vdekjes së diktatorit, pesë muaj pas mbushje-zbrazjes së ambasadave prej më të thjeshtëve shqiptarë), por jo të gabuar si në intervistën e profesor Qosjes. Në përplasjen e radhës (identitetin apo identikitin?!) midis tyre kufiri është thjesht një iluzion i lëvizshëm. Kadare, kur reagon pas reagimit, shprehet qartë se të qenit ashtu siç jemi nuk na pengon të hyjmë në Europë, teksa Qosja pasi vizaton Europën siç është beson se ne, duke qenë se jemi ashtu sic jemi, nuk ka pse shtiremi tjetër. Kadare nxiton, ai e di pse, të arrijmë sa më parë në Perëndim, teksa Qosja na kujton se tash për tash jemi në Ballkan. Tërë kundërtitë e tjera shtohen gjatë rrugës, prej ndërmjetësve, ose prej egos së tyre, sedrës së lënduar prej kohësh. Nëse të dy thonë të vërtetën ne na duhet ajo që na shërben më mirë, nëse të dy nuk thonë të vërtetën, na duhet të zgjedhim gënjështrën që prodhon të ardhme më të mirë. Pa harruar se ai që quhet intelektual, në Shqipëri e kudo më në lindje të saj, ndjehet shpirtërisht në Perëndim. Perëndimi ka pozitivitetet më të mëdha, liritë më të mëdha; mirëqënien më të dukshme. (Po, ka një varg dobësish, një varg vesesh që ta zvetënojnë jetën, por bje fjala, a është jetë jeta e grave në Lindje?) E ardhmja e Lindjes është të bëhet si Perëndimi, a Perëndimi si Lindja?! Qosja s’mund të mos e dijë këtë. Qosja citon një Kadare të 1972, jo pse ky citim është i rrallë për Kadarenë e asaj kohe, por se është vazhdim i qortimit të shkrimtarit prej studiuesit për ndryshim të biografisë sipas situatave politike. Kadare kujton “revolucionin e vonuar demokratik” të Qosjes, jo se ne të tjerët mund ta harrojmë atë, por se nuk duhet ta harrojmë se Kadare e ka quajtur 1997-ën rikthim të stalinistëve. Qosja nuk lëvizi më. Më vonë Kadare bëri një tërheqje: midis stalinistëve rekomandoi moshën e re, më pak të ndoturit e fabulës me kumbulla, sa për pak behar e plazh. Mbase kjo natyrë elitari shpjegohet me periudhën e ngjizjes dhe lulëzimit. Në kohën kur politika ishte në plan të parë, s’mund të mos ishe politik, edhe si i letrave. Në asnjerin prej librave të Kadaresë, prej Kronikës në gurë e deri tek Pasardhësi, nuk mungojnë shefat e mëdhenj politikë. Në analizat e Qosjes, gjithashtu: socialiteti në krijimtarinë e shqyrtuar zë vendin e nderit. Pamundësia për të mbetur të tillë në një shoqëri të hapur, me prani sado formale pluralizmi, shfaq tek ta shkrimtarin e studiuesin në kurthin e egos së vet. Nuk na mbetet tjetër veç t’i lexojmë duke vënë buzën në gaz. Jo thjesht për moshën që kanë, nuk duhet t’i marrim seriozisht inatet e tyre vetiako-kombëtare. Me librat është tjetër fare. Si me librat e të tjerëve.
|
| |
|